‘Pushtimi’ i medias: Soros do blejë radion antikomuniste në SHBA, revoltohet stafi dhe e djathta amerikane

auto soros1655231047

Pas ndërhyrjeve të shumta në sistemin e drejtësisë në SHBA, duke mbështetur kandidatët e të majtës për prokurorë, Soros po shtrin duart më tej te media. Grupet pranë tij po blejnë mediat pranë të djathtës. Rasti i një radioje në Majami ka shkaktuar shumë zemërim

 

Radioja Mambi, një ikonë e konservatorëve në gjuhën spanjolle në Majami, së shpejti mund të kontrollohet nga strategët politikë që kanë punuar për fushatën presidenciale të presidentit Obama dhe Hillary Clinton.

Shitja te një grup i lidhur me George Soros ka shkaktuar zemërim jo vetëm brenda stacionit radiofonik, por edhe në të gjithë komunitetin kubano-amerikan të Majamit dhe në mesin e vëzhguesve konservatorë të medias.

Radio Mambi, e cila historikisht është e lidhur me komunitetin kuban në mërgim dhe ofron pikëpamje antikomuniste, do të kontrollohej nga një grup liberalësh të financuar pjesërisht nga Soros, një miliarder i ekstremit të majtë, nëse marrëveshja prej 60 milionë dollarësh do të miratohet nga Komisioni Federal i Komunikacionit.

Drejtori i qendrës kërkimore mediatike ‘MRC Latino’, Jorge Bonilla e kritikoi lëvizjen si një rrëmbim pushteti nga e majta.

“Kjo ka të bëjë me pushtetin, kjo ka të bëjë me kontrollin. Kjo nuk ka të bëjë me fjalën e lirë. Kjo nuk ka të bëjë me keqinformimin. Kjo ka të bëjë me kontrollin e rrjedhës së informacionit në një komunitet të caktuar për qëllime politike. Kjo është ajo që e bën këtë marrëveshje kaq kontroverse,” tha Bonilla për Fox News.

“Ajo që po dëshmojmë është mbyllja ose ristrukturimi radikal ose riformatimi i një radiostacioni ikonë, një stacioni që për dekada ka qenë një fener për komunitetin kubano-amerikan të Majamit,” theksoi Bonilla. “Radio Mambi ka qenë me të vërtetë zëri i komunitetit politikisht dhe kulturalisht. Është një fener i antikomunizmit dhe këto janë shqetësimet që kanë lindur si rezultat i këtij transaksioni”.

Bonilla beson se marrëveshja e afërt ka një qëllim strategjik specifik, pasi liberalët me ndikim janë të vendosur të kontrollojnë ‘qëndrimin kryesor të së djathtës’ në Majami, përveç stacioneve të tjera në gjuhën spanjolle në tregjet kryesore, duke përfshirë Nju Jorkun, Çikagon, Dallasin, Hjustonin, Las Vegasin, Los Anxhelosin dhe San Antonion.

Formimi i Rrjetit Mediatik Latin, që do përbëhet nga 18 stacione radiofonike hispanike, duke përfshirë edhe Radio Mambi, u financua pjesërisht nga Lakestar Finance, një grup investimesh i lidhur me Sorosin. Stacionet, aktualisht në pronësi të Univision, do të kontrollohen nga Jess Morales Rocketto, një ish-punonjës i Hillary Clinton dhe Stephanie Valencia, një ish-punonjëse e Shtëpisë së Bardhë të Obamës.

Bonilla beson se është një situatë e paprecedentë dhe se e kishte të vështirë të bënte një krahasim derisa i erdhi në mendje legjenda konservatore e radios, Rush Limbaugh.

“Unë mendoj se ekuivalenti më i afërt do të ishte të imagjinonim radiostacionin e Rush Limbaugh në Nju Jork. Imagjinoni që një grup mbështetësish të Clinton të blinte këtë stacion dhe të flakte Rush Limbaugh nga transmetimi”.

Ka pasur protesta në të gjithë zonën e Majamit, politikanët lokalë të Floridës Jugore kanë ngritur zërin dhe senatori Marco Rubio ka kritikuar marrëveshjen. Guvernatori republikan i Floridës, Ron DeSantis shkroi në Twitter: “E majta radikale e financuar nga Soros po ndërton një skemë për të manipuluar mediat lokale në Florida me qëllim që të shtyjë përpara axhendën marksiste te votuesit”.

Punonjësit e Radio Mambit janë të zemëruar dhe disa personaliteteve të njohura në transmetim u janë ofruar bonuse vetëm që të mos largohen.

“Disa nga talentet që kanë dalë në transmetim kanë thënë se do i refuzojë këto para sepse nuk duan asnjë monedhë nga paratë e Sorosit. Ekziston një ndjenjë e vazhdueshme revolte dhe shqetësimi në stacion,” tha Bonilla.

Ai tha se ka mësuar për një takim të enjten e kaluar, në të cilin Valencia udhëtoi për në Majami për të ulur tensionet brenda stacionit. Fox News ka konfirmuar zhvillimin e takimit, dhe se Valencia u shoqërua nga konservatori kubanez anti-Trump, Al Cardenas, në një përpjekje për të qetësuar stafin në panik. Cardenas është i martuar me komentatoren politike liberale të CNN, Ana Navarro, e cila ka punuar në Florida për të zgjedhur Joe Biden në vitin 2020 dhe mbështet hapur demokratët.

Gjatë takimit, ish-ndihmësja e Obamës pretendoi se asgjë nuk do ndryshojë në Radio Bambi, por punonjësit nuk e ‘hëngrën’ këtë.

“Askush nuk e beson atë,” tha një burim i brendshëm i Radio Mambit që mori pjesë në takim. “Sinqerisht, ata besojnë se ne jemi budallenj”.

I njëjti burim tha se Valencia pretendonte se Soros ishte thjesht një huadhënës dhe jo një investitor. Sipas burimit të brendshëm, Valencia i tha më pas grupit se nuk kishte ende një plan për stacionin, kështu që dikush e pyeti pse Soros do të jepte 60 milionë dollarë hua për një grup që nuk ka një plan. “Atyre u pëlqen ajo që duam të bëjmë,” tha Valencia.

“Mesa kam dëgjuar, që tani reklamuesit kanë nisur të shohin mundësinë e largimit. Edhe punonjësit po e shohin këtë mundësi”, tha Bonilla.

Ai theksoi se shumë punonjës të Radio Mambit janë fëmijë të të mërguarve kubanë dhe ka një ndjenjë presioni të madhe në shtëpitë e tyre për të mos marrë pjesë në asnjë lloj formati të qendrës së majtës. Një punonjës madje pranoi se nëna e tij pret që ai të largohet nga puna nëse miratohet marrëveshja, tha Bonilla.

Ai mendon se kontrolli i liberalëve mbi Radion Mambi do të ishte një faktor domethënës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, pasi komuniteti hispanik nuk ka shumë opsione konservatore mediatike. Zhvendosja djathtas e Floridas në dy zgjedhjet e kaluara presidenciale ka pasqyruar një rritje të mbështetjes latine për republikanët- ish-presidenti Trump e mbajti me lehtësi Floridan në vitin 2020 kundër Biden, pjesërisht për shkak të rritjes në kontenë Majami-Dade, me mbështetjen e rritur nga kubano-amerikanët.

“Pra, Majami, për shkak të ekosistemit të tij, si një qytet i populluar në anën hispanike kryesisht nga viktimat e komunizmit dhe pasardhësit e tyre, e bën atë një treg mjaft unik në vend,” thotë Bonilla. “Unë mendoj se kjo është një përpjekje për të konsoliduar kontrollin e mesazhit që marrin hispanikët”.

Grupi i mbështetur nga Soros do e marrë kontrollin e stacionit në vitin 2023 nëse marrëveshja miratohet nga autoritetet.

Valenca nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.