Ç’po ndodh në Ukrainë pas më shumë se 100 ditësh luftë? Forcat ruse shtojnë sulmet
Janë shënuar mbi 100 ditë që nga nisja e konfliktit të armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë, duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese, sipas BBC.
Ky moment historik i zymtë erdhi pasi Kievi njoftoi se Moska tani ka në kontroll një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë Krimenë dhe pjesë të Donbasit që janë aneksuar në 2014. Pasi u tërhoqën nga kryeqyteti, trupat e Presidentit Vladimir Putin janë pozicionuar në Ukrainën lindore, duke rritur frikën se lufta mund të zgjatet.
Rusia po ashtu kontrollon qytetet port më të rëndësishme në Ukrainë dhe po e përdor këtë gjë si armë pasi nuk po lejon eksportin e grurit ukrainas duke rritur çmimet e ushqimeve në mbarë botën. Por fokusi i forcave ruse tani është lindja, me luftime të ashpra që vazhdojnë në Donbas.
Rusia po përdor raketat për të penguar lëvizjen e përforcimeve dhe furnizimeve të trupave ukrainase. Gjithashtu forcat ruse po përdorin armë me precizion të lartë dhe bombat me rënie të lirë për të shkatërruar Donbasin.
Disa nga sulmet ajrore po kryhen nga avionët Su-25 ‘Frogfoot’. Ata fluturojnë në një lartësi të ulët për t’iu shmangur sistemeve më të rrezikshme tokë-ajër, megjithëse kjo lartësi e ulët i vë në rrezik edhe nga sistemet e mbrojtjes ajrore si ‘Stinger’.
Forcat e armatosura të Ukrainës kanë postuar një përditësim në lidhje me situatën në lindje të vendit:
-Përpjekjet kryesore të forcave ruse janë përqendruar në Severodonetsk dhe Bakhmut në lindje
-Ata po sulmojnë në mënyrë të vazhdueshme Severodonetsk
-Trupat ruse u tërhoqën pas përpjekjeve të dështuara për të avancuar në qytetin Bakhmut, në jug-perëndim të Severodonetsk
-Në rajonin e Donetsk, pavarësisht luftimeve përparimi i forcave ruse është i ngadaltë sepse ushtria është e rraskapitur fizikisht dhe morali i ushtarëve është i ulët.
-Në zonën e Lyman, rusët po përpiqen të marrin kontrollin e bregut të majtë të lumit Seversky Donets.
Rikujtojmë se në orën 03:55 të mëngjesit, TV Rossija 24 transmetoi një video të regjistruar paraprakisht në të cilën presidenti rus shpalli një operacion ushtarak për të mbrojtur Donbasin, çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës.
Menjëherë pas kësaj, lajmet e para për shpërthime mbërritën në Kiev, Odessa, Kharkiv, Mariupol.
Pushtimi filloi.
LEXO TE NGJASHME