Ministrat e BE-së diskutojnë sot për Ballkanin Perëndimor
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të diskutojnë më 16 maj – përveç agresionit rus në Ukrainë – edhe për raportet e bllokut evropian me Ballkanin Perëndimor.
Më vonë gjatë ditës së hënë, ata do të kenë edhe një takim të përbashkët me shefat e diplomacisë së gjashtë vendeve të këtij rajoni.
“Diskutimet për Ballkanin Perëndimor, në takimin e 27 ministrave, sikur edhe ato kur të takohen së bashku ministrat e BE-së me ata të vendeve të rajonit, do të jetë përballja e përbashkët me sfidat dhe pasojat që ka krijuar agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës”.
Në një dokument të përgatitur për diskutimet e së hënës thuhet se agresioni i Rusisë ka krijuar ndryshime domethënëse në rreshtimet gjeo-politike.
“Më shumë se kurrë ka pritje që Ballkani Perëndimor t’iu përkushtohet vlerave evropiane si vende anëtare në të ardhmen. BE duhet t’i rreshtojë partnerët e saj rreth mbrojtjes së vlerave të përbashkëta dhe normave kyçe ndërkombëtare, dhe dënimin e agresionit rus në Ukrainë si shkelje të rëndë e së drejtës ndërkombëtare dhe rrezik për paqen dhe sigurinë globale”, është thënë në këtë dokument jozyrtar.
Vuçiç thotë se do të rezistojë sa të mundet që të mos e sanksionojë Rusinë
Sipas burimeve diplomatike, trysnia kryesore do të jetë ndaj Serbisë, si vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Në Bruksel, zyrtarë të BE-së vazhdojnë të bëjnë përpjekje për ta relativizuar këtë qëndrim të Serbisë duke e potencuar më shumë faktin se Serbia ka votuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për dënimin e agresionit të Rusisë dhe ka votuar për përjashtimin e saj nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut.
Por shumë vende anëtare të BE-së pohojnë se kjo gjë, ndonëse është e mirëpritur, nuk mjafton dhe Serbia duhet të mbështesë edhe sanksionet, e sidomos të mos lejojë që përmes Serbisë ato të anashkalohen.
Në BE thonë se mirëpresin faktin se Kosova në tërësi ka mbështetur qëndrimet e Perëndimit për luftën në Ukrainë, edhe pse formalisht nga ajo nuk kërkohet një gjë e tillë.
“BE-ja t’i mbajë premtimet ndaj Kosovës”
Burimet e BE-së thonë se blloku evropian duhet të ketë porosi të qarta për Ballkanin Perëndimor. Në këtë drejtim, pohojnë burimet, liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më shpejt.
Në takimin e së hënës pritet të diskutohet edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur në vitin 2011.
Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren. Më 14 maj, ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.
LEXO TE NGJASHME