Bideni mbështet “derën e hapur” të NATO-s për Suedinë dhe Finlandën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka theksuar “bashkëpunimin e ngushtë të sigurisë dhe mbrojtjes” midis Shteteve të Bashkuara, Finlandës dhe Suedisë në një telefonatë të përbashkët me liderët e këtyre vendeve më 13 maj, në të cilën ai inkurajoi gjithashtu anëtarësimin e tyre në NATO.
Një njoftim nga Shtëpia e Bardhë tha se Biden gjithashtu “përsëriti angazhimin e tyre të përbashkët për të vazhduar koordinimin në mbështetje të Ukrainës dhe popullit ukrainas të prekur nga lufta”.
Ai bisedoi me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson dhe presidentin finlandez, Sauli Ninisto.
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë më vonë se po kërkonin sqarime mbi kundërshtimet e mundshme nga aleati i NATO-s, Turqia, ndaj anëtarësimit finlandez dhe suedez.
Qeveritë suedeze dhe finlandeze këtë javë kanë paraqitur plane për të angazhuar vendet e tyre që të aplikojnë për anëtarësim në NATO sa më shpejt, si rezultat i kërcënimit të parashikuar nga Moska.
“Presidenti Biden nënvizoi mbështetjen e tij për politikën e dyerve të hapura të NATO-s dhe për të drejtën e Finlandës dhe Suedisë për të vendosur vetë për të ardhmen e tyre, politikën e jashtme dhe marrëveshjet e sigurisë”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.
Shumë anëtarë të aleancës kanë shprehur tashmë mbështetje për aplikimet nga Suedia dhe Finlanda, të cilat tradicionalisht kanë mbetur neutrale.
Por presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan më 13 maj tha se ai nuk kishte një “mendim pozitiv” për anëtarësimin e tyre.
Anëtarësimi në NATO kërkon mbështetje unanime midis 30 vendeve anëtare.
Disa orë pas komentit të Erdoganit, Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni thanë se “po punonin për të sqaruar pozicionin e Turqisë” në lidhje me Suedinë dhe Finlandën.
“Asgjë nuk ndryshon në lidhje me qëndrimin e tyre në aleancën e NATO-s,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby. “Ne po punojmë për të qartësuar më mirë pozicionin [e tyre]”.
Finlanda, e cila ndan një kufi 1,340 kilometra dhe një të kaluar të trazuar me Rusinë, tha më 12 maj se duhet të aplikojë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s “pa vonesë”.
Ndërkaq ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde tha se anëtarësimi i Suedisë në NATO do të kishte një efekt stabilizues dhe do të ishte me përfitim të gjitha shtetet e detit Baltik./rel
LEXO TE NGJASHME