Zelenskyy i bën thirrje Rusisë për rifillimin e dialogut, pa kthimin e Krimesë
''Çdo marrëveshje paqeje me Rusinë do të varet nga tërheqja e forcave ruse në pozicionet e tyre para pushtimit'' është shprehur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy për institutin Chatham House në Londër, duke shtuar se ai është lideri i "Ukrainës dhe jo i një mini-Ukrainë'.
"Për të ndalur luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, hapi duhet të jetë rikthimi i situatës që nga 23 shkurti," tha presidenti i Ukrainës duke iu referuar një dite para fillimit të luftës.
"Unë u zgjodha nga populli i Ukrainës si president i Ukrainës, jo si president i një mini Ukrainës. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme," shtoi ai.
Megjithatë duke foluar nga Kievi për Insitutin londinez, Zelenskyy i bëri thirrje Rusisë për rifillimin e dialogut.
"Pavarësisht faktit se ata shkatërruan të gjitha urat tona, unë mendoj se jo të gjitha urat janë shkatërruar ende, në mënyrë figurative," tha ai.
Ndërsa Rusia, nga ana e saj, e ka përshkruar atë proces si në një "gjendje amullimi".
Referenca për situatën e 23 shkurtit sugjeron se Ukraina mund të mos insistojë në rimarrjen e Krimesë përpara se të bëjë paqe me Rusinë.
Gadishulli u aneksua nga Rusia tetë vjet më parë.
Forcat e Vladimir Putinit aktualisht po luftojnë për të marrë kontrollin e plotë të qytetit të Mariupol.
Ka ende forca ukrainase së bashku me disa civilë në fabrikën e madhe të çelikut Azovstal të qytetit juglindor, i cili i është nënshtruar një sulmi të furishëm rus.
Marrja përfundimisht e Mariupolit do të ishte arritja më e madhe e Rusisë në dy muajt e luftës dhe do t'i jepte Presidentit të Rusisë Vladimir Putin diçka për të festuar më 9 maj, që është Dita e Fitores në Rusi - ditën kur vendi shënon fitoren sovjetike ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore.
LEXO TE NGJASHME