Ukraina: Forcat tona po frenojnë sulmet ruse në disa fronte

ukraina.rezistence

Ukraina thotë se forcat e saj vazhdojnë t'i rezistojnë sulmeve ruse në disa fronte, pavarësisht dëshmive se njësitë e reja ruse po kalojnë kufirin, ndërsa pretendon gjithashtu se artileria ruse ka shënjestruar fshatrat afër kufirit verilindor të vendit.

Vlerësimi, i cili erdhi nga buletini i fundit i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, thoshte se rusët vazhduan të forcojnë praninë e tyre në zonën e Izium në Ukrainën lindore duke sjellë njësi normalisht me bazë në Lindjen e Largët të Rusisë.

Forcat e Armatosura thanë gjithashtu se kanë zbrapsur përpjekjet e fundit të forcave ruse për të depërtuar në zonën e Izium, por ato vazhduan ofensivën drejt qytetit të Lyman - një qendër e rëndësishme hekurudhore, e cila u godit nga artileria ruse të premten.

Shtabi i Përgjithshëm tha se kishte gjithashtu luftime të ashpra rreth Rubizhne dhe Popasna, dy qytete që rusët janë përpjekur të marrin për disa javë. 

Ai pretendoi se një avion rus ishte rrëzuar.

Shtabi i Përgjithshëm tha gjithashtu se njësitë ruse kishin shënjestruar pozicionet ukrainase në katër fshatra në rajonin Sumy në cepin verilindor të Ukrainës, një zonë që ka pasur pak aktivitet në javët e fundit.

Gjithsej, 14 sulme të armikut u zmbrapsën në rajonet Donetsk dhe Luhansk gjatë 24 orëve të fundit, tha ushtria ukrainase.

Serhiy Hayday, kreu i administratës ushtarake rajonale të Luhansk, tha se dy shkolla dhe 20 shtëpi u shkatërruan të premten ndërsa rusët vazhduan sulmet e tyre në Rubizhne dhe Popasna. 

Ai tha se rusët kishin nisur 16 sulme masive artilerie gjatë ditës së kaluar, me Hirske dhe Orikhovo në mesin e objektivave. 

Të dyja janë qytete afër vijës së frontit që kanë pësuar dëme të mëdha këtë muaj. 

Hayday tha se 31 persona ishin evakuuar nga Popasna, por dy autobusë evakuimi ishin qëlluar dhe që atëherë nuk kishte asnjë kontakt me njerëzit në automjete.

Mykola Khanatov, kreu i Administratës Ushtarake-Civile të qytetit Popasna, tha se shoferët ishin vullnetarë.

“Kam shumë frikë se do t’i humbim këta njerëz”, tha ai. 

Në frontin jugor, Mykola Lukashuk, kreu i këshillit rajonal të Dnipropetrovsk, tha se rusët kishin hapur zjarr në periferi të një fshati të kontestuar pranë Kryvyi Rih. Nuk ka pasur viktima, tha ai.

 

LEXO TE NGJASHME

BIZNESE TE REKOMANDUARA

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.