Ukraina dhe Rusia mbajnë sot bisedimet e paqes
Përfaqësuesit e Ukrainës dhe Rusisë mbajnë të martën bisedimet e paqes.
Delegacionet kanë arritur në Stamboll të Turqisë. Delegacioni i Ukrainës udhëhiqet nga ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, dhe këshilltari presidenciali, Mikhail Podolyak.
Kievi tha se prioritet i tyre është arritja e një armëpushimi, njofton REL. Takimi sy më sy midis delegacionit ukrainas dhe rus do të zhvillohet në prani të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Takimi është planifikuar të nisë në ora 10:00 sipas kohës lokale.
Ndërkaq, delegacioni i Rusisë po kërkon që Ukraina të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, një çështje që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është i gatshëm të bëjë kompromis.
Çështje të tjera që pritet të diskutohen është fati i dy rajoneve lindore të Ukrainës – Donjecku dhe Luhansku – por edhe statusi i Krimesë, gadishull të cilin Moska e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme më 2014.
Përmbledhja
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
LEXO TE NGJASHME