Mariupol nën breshëri bombardimesh, OKB sot me 3 rezoluta për krizën humanitare në Ukrainë
Kombet e Bashkuara do të përballen me tre rezoluta të mërkurën, 23 mars, lidhur përkeqësimin e situatës humanitare në Ukrainë.
Asambleja e Përgjithshme është planifikuar të fillojë të shqyrtojë dy rezoluta rivale të mërkurën në mëngjes - njëra e mbështetur nga Ukraina dhe vendet perëndimore që e bën të qartë se Rusia është përgjegjëse për krizën në rritje humanitare dhe tjetra e sponsorizuar nga Afrika e Jugut që nuk përmend Rusinë, njofton REL.
Ndërkaq, Këshilli i Sigurimit do të votojë për rezolutën e tretë, e cila është e sponsorizuar nga Rusia dhe e kritikuar gjerësisht se nuk i referohet pushtimit të Ukrainës.
Më poshtë mund të mësoni ngjarjet kryesore që ndodhën në ditën e 27-të të luftës në Ukrainë:
Zyrtarët ukrainas në Mariupol thanë se ky qytet i rrethuar, po vazhdon të jetë cak i bombardimeve të vazhdueshme, teksa luftimet në rrugët e Mariupolit po vazhdojnë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se nuk ka “mbetur asnjë” në Mariupol, “vetëm rrënoja”
Presidenti amerikan, Joe Biden, do të udhëtojë në Evropë të mërkurën për të biseduar me liderët e NATO-s dhe BE-së për luftën në Ukrainë. Gjatë kësaj vizite, është paralajmëruar se do të prezantohen sanksione të reja ndaj Rusisë
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia mund të përdorë armë bërthamore vetëm nëse ka një kërcënim ekzistencial ndaj shtetit. Presidenti amerikan, Joe Biden, paralajmëroi se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke u përgatitur që në luftën në Ukrainë të përdorë armë kimike dhe biologjike
Banorët e qytetit të rrethuar të Mariupolit po përballen me kushte të rënda, teksa nuk kanë qasje në ujë, ushqim, rrymë dhe ilaçe. Kryediplomati grek, Nikos Dendias, propozoi që ai të udhëheqë një mision për dërgimin e ndihmës humanitare në këtë qytet, dhe tha se ai është i gatshëm që personalisht të marrë pjesë në dërgimin e kësaj ndihme
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bisedoi me Papa Françeskun dhe sugjeroi që Vatikani mund të luajë rol ndërmjetësues në përfundimin e luftës.
Ukraina pretendoi se ka vrarë mbi 15,000 ushtarë rusë që prej fillimit të luftës
LEXO TE NGJASHME