Biden pritet të takohet me krerët e NATO-s në Bruksel për luftën Rusi - Ukrainë
Presidenti amerikan Joe Biden pritet të shkojënë Bruksel javën e ardhshme për t'u takuar me liderët e NATO-s për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë, thanë të hënën burime amerikane dhe të huaja të njohura me situatën.
Plani, i cili është ende në finalizim, kërkon që Biden të takohet me udhëheqës të tjerë nga aleanca e NATO-s në Bruksel më 23 mars, thanë tre nga burimet.
Ata paralajmëruan se planet mund të ndryshojnë duke pasur parasysh situatën në zhvillim të shpejtë në Ukrainë.
Takimi vjen pasi forcat ruse po vazhdojnë të përshkallëzojnë sulmet e tyre në Ukrainë.
Një burim tha se Biden mund të udhëtojë gjithashtu për në Poloninë anëtare të NATO-s, ku shqetësimet janë të larta pas një sulmi rus në një bazë të madhe ukrainase, vetëm disa milje larg kufirit, duke vrarë 35 persona.
Anëtarët e NATO-s janë të shqetësuar për tërheqjen në një konflikt ushtarak me një fuqi bërthamore si Rusia.
Biden ka thënë vazhdimisht se Shtetet e Bashkuara nuk do të dërgojnë forca në Ukrainë, por do të mbrojnë "çdo centimetër" të territorit të NATO-s.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Shtetet e Bashkuara ishin të angazhuara ngushtë me partnerët e saj të NATO-s dhe aleatët evropianë, por se nuk kishte ende ndonj vendim përfundimtar për një udhëtim presidencial.
Që kur pushtimi rus i Ukrainës filloi më 24 shkurt, sulmi më i madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj kanë koordinuar sanksione të gjera kundër Moskës dhe Presidentit Vladimir Putin si ndëshkim, njofton Reuters.
LEXO TE NGJASHME