Lufta në Ukrainë: Një foshnjë lindi nën bombardimet në Bucha

ukraine.lindjeee

Anna Tymchenko ishte e frikësuar. Ajo priste të lindte, por vendlindja e saj po bombardohej dhe banesa dridhej. Bashkë me burrin e saj ishin bllokuar pa energji elektrike, ujë të rrjedhshëm apo mjek.

Qyteti i vogël Bucha, 30 km larg nga kryeqyteti Kiev, ka qënë nën bombardime të pamëshirshme që nga fillimi i luftës.

Anna njëzet e një vjeçare, së bashku me bashkëshortin dhe vëllanë e saj, ishin strehuar më parë në bodrumin e pallatit të tyre. Por kur u ndërpre energjia elektrike dhe ngrohja pushoi së punuari, bodrumi u zhyt në errësirë ​​dhe ishte shumë ftohtë.

Burri i Anës, Volodymyr, ishte i shqetësuar në dilemën mes qëndrimit në Bucha ose përpjekjes për të ikur. Kur më në fund u përpoqën të arratiseshin me makinë, u desh të ktheheshin kur dëgjuan se një kolonë automjetesh ushtarake ruse po shkonte drejt tyre.

“Më pas vendosëm të qëndronim në apartament”, tha Anna për BBC. “Preferova të lindja në shtëpi dhe jo në një bodrum me pluhur, kisha vështirësi në frymëmarrje, më dhembnin mushkëritë”.

Kur ajo filloi lindjen natën vonë më 7 mars, thirri fqinjët e saj për ndihmë. Ata pranuan të vinin, por asnjëri prej tyre nuk kishte përvojë në lindjen e foshnjave.

Viktoria Zabrodskaya, fqinja 49-vjeçare e Anës, i tha BBC-së se ishin të shqetësuar se nëse diçka shkonte keq, nuk do të dinin se çfarë të bënin.

Dhoma ishte ndriçuar me qirinj dhe i vetmi ujë i disponueshëm ishte ai i ftohti nga shishet.

“Nuk e kisha imagjinuar kurrë që do të lindja në kushte të tilla”, thotë Anna. "Ishte surreale. Ishte fëmija im i parë dhe nuk dija asgjë."

Të dëshpëruar, fqinjët e Anës u përpoqën të kontaktojnë personelin mjekësor, por sinjali i telefonit ishte i dobët. Ata përfundimisht mundën të kontaktojnë një gjinekolog në Bucha pasi morën një sinjal në ballkon. Ai pranoi të vinte por nuk u duk kurrë.

Më vonë asaj dite, ai dërgoi një mesazh me një falje dhe shpjegoi se ishte ndaluar nga një patrullë ruse që ia kishte thyer telefonin.

Fqinjët e Anës do të duhej ta lindin fëmijën vetë. Vetëm njëra prej tyre - Irina Yazova - kishte njëfarë dijenie mjekësore.

“Kur doli koka e foshnjës, ne u trembëm”, thotë Viktoria. "Ajo ishte blu dhe nuk dinim çfarë të bënim. Pastaj Irina e ktheu butësisht kokën e foshnjës dhe ajo doli jashtë. Nuk qau në fillim - ne filluam ta godisnim lehtë dhe kur qau, të gjithë brohoritëm."

Bashkëshorti Volodymyr qau me lot lehtësimi për foshnjën Alisa, e cila lindi në 8 Mars - Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Në foto Anna, e fotografuar shtatzanë para fillimit të luftës;




Dy ditë më vonë, u njoftua se Bucha ishte një nga korridoret e evakuimit të rënë dakord nga qeveria ukrainase dhe ministria ruse e mbrojtjes.

“Kemi kaluar gjithë natën duke diskutuar nëse të shkojmë apo jo”, thotë Anna.

Ajo dhe burri i saj më në fund vendosën të largoheshin me fëmijën e tyre të porsalindur. Ata u përpoqën të kontaktonin njerëzit për të pyetur nëse rruga ishte e sigurt dhe shkarkonin hartat në telefonat e tyre.

Të nesërmen, 21 makina u larguan nga qyteti duke u nisur drejt Kievit. Viktoria, e cila kishte ndihmuar në lindjen e foshnjës së Anës, kaloi me makinë në pjesën e përparme të autokolonës, me një flamur të bardhë të mbështjellë rreth një leckë të ngjitur në makinën e saj dhe një tabelë që thoshte "Fëmijët".

“Rrugës pamë skena të tmerrshme”, thotë Anna. "Kurrë nuk e kisha menduar se do të shihja gjëra të tilla në jetën reale - vetëm në filma. Kishte trupa të vdekur të shtrirë në rrugë. Shtëpi të shkatërruara Tanke ruse të parkuara. Kishin frikë se mos shkrepnin zjarr kur ne po kalonim”.

Pas disa orësh, të evakuuarit kishin kaluar në mënyrë të sigurtë të gjitha postblloqet ruse dhe mbërritën në Kiev - dhe prej andej shkuan në rrugë të ndryshme.

“Kur dolëm, nuk mund të ndaloja së qeshuri”, thotë Anna. “Nuk mund ta besoja që arritëm të iknim”.

Anna po shijon mëmësinë dhe mezi pret të prezantojë prindërit e saj me mbesën e vogël Por ndërsa shumë nga të afërmit e saj tani janë larguar nga vendi, ajo dhe burri i saj nuk mund të largohen - dhe Anna thotë se ende nuk ndihet plotësisht e sigurt.

"Të gjitha mendimet e mia janë me atë që po ndodh në Bucha dhe në pjesën tjetër të vendit," thotë ajo. “Është thjesht e pabesueshme, por shpresojmë se mund të kthehemi në shtëpi së shpejti”.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.