Agresioni rus në Ukrainë, zëvendëspresidentja amerikane arrin në Poloni
Nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, arriti në Poloni më 9 mars. Gjatë vizitës dyditore, ajo do të qëndrojë në Poloni dhe Rumani, ku do të bisedojë për pushtimin rus të Ukrainës dhe për ndikimin që po ka kjo luftë në rajon.
Vizita e Harris në Varshavë të Polonisë vjen në kohën e një mosmarrëveshjeje të papritur diplomatike lidhur me furnizimin e Ukrainës me avionë luftarakë.
Qeveria polake më 8 mars doli me një plan që të transferojë në bazën amerikane në Gjermani, avionët e saj të prodhimit rus, MiG-29, në mënyrë që ato më pas t’iu jepen pilotëve ukrainas për të luftuar me forcat ruse. Në këmbim, SHBA-ja do ta furnizonte Poloninë me avionët e prodhimit amerikan.
Por, Polonia nuk e kishte ndarë paraprakisht këtë ide me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden, para se ta bënte publike. Prandaj, Pentagoni menjëherë e hodhi poshtë këtë ide si të paqëndrueshme.
Avionët luftarakë që fluturojnë nga bazat amerikane dhe të NATO-s në një hapësirë ajrore të kontestuar me Rusinë, do të rrisnin rrezikun që lufta të zgjerohej përtej Ukrainës.
Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, tha më 9 mars se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën ka qenë mbrojtëse dhe çdo vendim për furnizimin e Kievit me MiG-29, duhet të merret nga SHBA-ja dhe NATO-ja, dhe vetëm nëse të gjitha shtetet e aleancës pajtohen për këtë.
“Polonia nuk është pjesë e kësaj lufte. Një vendim i tillë serioz për dërgimin e avionëve duhet të merret në mënyrë unanime nga të gjithë anëtarët e NATO-s”, tha ai.
Harris pritet të vazhdojë bisedimet me palën polake për dërgimin e avionëve te ukrainasit gjatë vizitës së saj në Varshavë, ka thënë një zyrtar i lartë i administratës, që ka folur për AP.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha më 9 mars se vizita e nënpresidentes Harris, nuk ishte e lidhur me çështjen e avionëve dhe se kjo çështje po “trajtohet përmes kanaleve ushtarake”.
Harris pritet të takohet më 10 mars me presidentin polak, Andrzej Sebastian Duda, dhe kryeministrin Mateusz Morawiecki, si dhe me zyrtarë ukrainas të cilët kanë udhëtuar për në Poloni.
Më 11 mars, ajo do të qëndrojë në Bukuresht, ku do të takohet me presidentin rumun, Klaus Iohannis.
Gjatë kësaj vizite dyditore, nënpresidentja Harris pritet të theksojë përkushtimin e SHBA-së për aleancën e NATO-s dhe për nevojën që të vazhdohet mbështetja humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.
LEXO TE NGJASHME