Presidenti i Lituanisë paralajmëron Blinkenin: Nuk mjafton më parandalimi kundër Rusisë, Putin nuk do të ndalet!
Vilnius - Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda e paralajmëroi të hënën, kryediplomatin e Uashingtonit Antony Blinken se dështimi për ta ndaluar agresionin rus në Ukrainë do të çonte në një konflikt global.
Duke iu drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit që filloi një turne në shtetet baltike, Nauseda tha se udhëheqësi rus Vladimir Putin "nuk do të ndalet në Ukrainë" dhe se bota kishte një detyrim për të ndihmuar ukrainasit "me të gjitha mjetet në dispozicion".
“Dua të them, me të vërtetë me të gjitha mjetet nëse duam ta shmangim Luftën e Tretë Botërore. Zgjedhja është në duart tona”, tha ai.
Nauseda shkroi dhe në Twitter: "Folëm si miq dhe aleatë të ngushtë me Sekretarin Blinken për Rusinë, luftën e tmerrshme kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë në Evropë. Theksova nevojën urgjente për të kaluar nga parandalimi në mbrojtjen reale. Prezenca e përforcuar e NATO-s dhe e SHBAnë rajonin e Balltikut është thelbësore."
Anëtare e NATO-s, Lituania ka dërguar ndihmë ushtarake në Ukrainë dhe ka mirëpritur një numër të vogël refugjatësh ukrainas që nga fillimi i pushtimit të Rusisë më 24 shkurt.
Blinken ishte caktuar të vizitonte Letoninë dhe Estoninë fqinje të hënën dhe të martën.
Blinken u takua me Nauseda përpara bisedimeve me Ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin e Lituanisë.
Diplomati i lartë amerikan i tha më herët stafit të ambasadës amerikane në Vilnius se pushtimi rus i Ukrainës sfidoi parimet bazë të krijuara për të ruajtur paqen midis kombeve.
"Është e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se çfarë është në të vërtetë në rrezik dhe ajo shkon përtej Ukrainës, madje edhe përtej vendeve baltike, edhe përtej Evropës," tha Blinken.
Disa diplomatë të caktuar në ambasadën e SHBA-së në Bjellorusi janë gjithashtu në Vilnius pasi misioni u mbyll për shkak të shqetësimeve të sigurisë javën e kaluar.
Bjellorusia, e cila kufizohet me Lituaninë dhe Letoninë, e lejoi Rusinë të nisë sulmin nga territori i saj pasi kishte trupat e saj të vendosura atje për javë të tëra nën maskën e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.
Bjellorusia vitin e kaluar e ndaloi ambasadoren Julie Fisher të merrte postin e saj dhe i tha Uashingtonit ta pakësonte stafin e ambasadës si reagim ndaj sanksioneve të SHBA-së pas shtypjes së protestave nga lideri bjellorus Alexander Lukashenko në 2020.
Vendet e NATO-s kanë rritur praninë e tyre në vendet baltike javët e fundit dhe më shumë trupa dhe pajisje janë në rrugë e sipër, kanë njoftuar politikëbërësit.
LEXO TE NGJASHME