Cfarë kërkoi Ukraina në tryezën e bisedimeve me Rusinë

 640 0 621cfb2d7e181

Ukraina kërkoi një armëpushim të menjëhershëm dhe tërheqjen e forcave ruse, ndërsa delegacioni i saj mbërriti të hënën për bisedime me Rusinë.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski i kërkoi Bashkimit Evropian që t'i japë vendit të tij anëtarësimin e menjëhershëm në bllok.

Negociatat mes Ukrainës dhe Rusisë filluan në kufirin Ukrainë-Bjellorusi. Zyra e zotit Zelenski tha se në delegacionin ukrainas merr pjesë Ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov dhe këshilltari presidencial Mikhailo Podoliak.

Presidenti Zelenski kërkoi një anëtarësim të shpejtë në BE në një video-mesazh përmes së cilit ai gjithashtu u bëri thirrje trupave ruse të dorëzonin armët.

"Qëllimi ynë është të jemi së bashku me të gjithë evropianët dhe më e rëndësishmja, të jemi në një pozitë të barabartë," tha ai. "Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se është e mundur."

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se kishte patur një telefonatë me udhëheqësin ukrainas dhe se "e vlerësoi atë për guximin e popullit dhe forcave të armatosura të Ukrainës".

"Aleatët e NATO-s po rrisin mbështetjen me raketa mbrojtjeje ajrore, armë antitank, si dhe ndihmë humanitare dhe financiare," shkruante zoti Stoltenberg në Twitter.

Rusia u përball me presion të shtuar diplomatik dhe ekonomik të hënën, ditën e pestë të fillimit të agresionit ndaj Ukrainës.

Ministria britanike e mbrojtjes tha të hënën se trupat ruse vazhdonin të ishin mbi 30 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, duke shtuar se "dështimet logjistike dhe rezistenca e fortë ukrainase vazhdojnë të pengojnë përparimin rus".

Ky vlerësim përputhet me vlerësimin e një zyrtari të lartë amerikan të mbrojtjes, i cili u tha gazetarëve të dielën, se “nuk kemi asnjë tregues se ushtria ruse ka marrë kontrollin e ndonjë qyteti."/zeri i amerikes

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.