NATO: Të gjitha shenjat tregojnë se Rusia po planifikon sulm të gjërë në Ukrainë
Pas presidentit amerikan Biden, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg tha se pret një sulm gjithëpërfshirës nga ushtria ruse në Ukrainë. Sulmi mund të ndodhë së shpejti, njofton Deutsche Welle.
"Të gjitha shenjat tregojnë se Rusia po planifikon një sulm në shkallë të gjërë në Ukrainë”, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës veriatlantike Jens Stoltenberg për programin televiziv gjerman "Tagesthemen".
Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai foli për një vendosje të vazhdueshme të trupave ushtarake ruse ajte. "Trupat ruse nuk po tërhiqen", siç thotë Rusia. "Atje po shtohet trupa të reja ruse." Ka edhe shenja se Rusia po përgatitet të inskenojë ndonjë pretekst për një sulm ushtarak në Ukrainë.
Shkeljet në rritje të armëpushimit në Ukrainën lindore, "akuzat e rreme" për "gjenocid" në Donbas dhe evakuimi i popullsisë nga zonat e kontrolluara nga separatistët janë "shenja shqetësuese", theksoi Stoltenberg.
Stoltenbergu angazhohet për zgjidhje politike
Sipas informacioneve të burimeve perëndimore, Rusia ka mbledhur më shumë se 150.000 ushtarë në kufirin me Ukrainën fqinje.Presidenti amerikan Joe Bidentha të premten se ai pret një sulm "në ditët në vijim". Megjithatë, udhëheqja në Moskë mohon planet e sulmit. Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar disa herë gjatë ditëve të fundit se trupat janë tërhequr pas përfundimit të manovrave.
Megjithë kërcënimin e përshkallëzimit të gjendjes si pasojë e ndërhyrjes së mundshme të trupave ruse, Stoltenberg mendon se ende ka hapsirë për një zgjidhje politike të konfliktit. "Ne duam që Rusia të ndryshojë kursin dhe të ulet me ne në tryezën e bisedimeve”.
Anëtarësimi i mundshëm i Ukrainës në NATO
Kur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje për më shumë siqeritet në deklaratat për anëtarësimin e vendit të tij në NATO, Stoltenberg u përgjigj: "Ne po ndihmojmë Ukrainën të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse. Ne po ofrojmë trajnime dhe pajisje dhe po ndihmojmë integrimin e saj euro-atlantik." Anëtarësimi në NATO është i mundur, por vendimin përfundimtar duhet ta marrin 30 vendet anëtare. Për momentin bëhet fjalë më pak për anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe më shumë për "pranimin apo jo pëerpjekjet të një fuqie të madhe si Rusia që t'i diktojë një vendi tjetër se çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë - me dhunë".
Sipas ministres gjermane të Mbrojtjes, Christine Lambrecht, Rusia ka bërë të gjitha përgatitjet për të qenë në gjendje të sulmojë. "Këshilla më e mirë në këtë moment është që ne të jemi të përgatitur”, tha politikanja socialdemokrate në televizionin e dytë gjerman ZDF. Lambrecht përshëndeti vendimin e NATO-s për të reduktuar në mënyrë drastike kohën e gatishmërisë për dhjetëra mijëra ushtarë në aleancën ushtarake. Kur u pyet nëse duhet të kemi frikë nga një sulm rus ndaj anëtarëve të NATO-s, si shtetet baltike apo Polonia, ministrja tha: "Kërcënimi është shumë i madh në këtë rajon." E aleatët e NATO-s kanë të drejtë "të sigurohen në mënyrë adekuate." Lambrecht shtoi: "NATO qëndron këtu. Ne qëndrojmë së bashku, të bashkuar. Rusia duhet të përgatitet që ne të mbrojmë aleatët tanë."
Ndërsa shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell sheh një ndryshim në krahasim me përkeqësimin e mëparshëm të situatës. Rusia kurrë më parë nuk ka grumbulluar 150.000 ushtarë në kufirin me Ukrainën "të cilët vënë në dyshim ekzistencën e këtij vendi", tha Borrell në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih. "Dallimi është se tani ekziston një kërcënim i prekshëm, i fortë dhe i fuqishëm. Asgjë nuk e justifikon këtë përqendrim të forcave."
Tërheqja e personelit diplomatik
NATO ka tërhequr punonjësit e saj nga kryeqyteti ukrainas Kiev të shtunën për arsye sigurie. Ata do të zhvendosen në Lemberg (Lviv) në Ukrainën perëndimore dhe në Bruksel, tha një zyrtar i NATO-s. Siguria e punonjësve ka "prioritetin kryesor". Disa vende perëndimore kanë tërhequr më parë personelin e tyre diplomatik nga kryeqyteti ukrainas. Edhe Gjermania e ka reduktuar stafin e ambasadës së saj në Kiev.
LEXO TE NGJASHME