Talebanët takohen sot me diplomatët perëndimorë në Oslo, kërkojnë qasje në asetet e ngrira
Një delegacion i talebanëve dhe diplomatët perëndimorë pritet të takohen sot në Oslo për bisedime lidhur me krizën humanitare në Afganistan dhe të drejtat e njeriut.
Diskutimet prapa dyerve të mbyllura do të mbahen ndërmjet një delegacioni prej 15 anëtarëve të talebanëve dhe përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Francës, Britanisë, Gjermanisë, Italisë, Bashkimit Evropian dhe Norvegjisë.
Këto diskutime pritet të fokusohen në situatën humanitare në Afganistan, që është përkeqësuar në mënyrë drastike që prej se talebanët morën pushtetin, raporton REL.
Delegacioni i talebanëve pritet që të kërkojë qasje në miliarda dollarë në asete që janë ngrirë, pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan në gushtin e vitit të kaluar, teksa forcat e udhëhequra nga SHBA-ja po tërhiqeshin nga vendi.
Afganistani po përballet me përkeqësim të krizës humanitare, teksa 22.8 milionë qytetarë po përballen me furnizime të pakta ushqimore dhe 8.7 milionë banorë janë në prag të urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Që prej gushtit, ndihma ndërkombëtare, që financonte rreth 80 për qind të buxhetit afgan, është suspenduar dhe Shtetet e Bashkuara kanë ngrirë 9.5 miliardë dollarë të aseteve të Bankës Qendrore afgane. Papunësia është rritur, ndërkaq shërbyesit civilë nuk janë paguar për muaj të tërë.
“Ne po kërkojmë nga ta që të heqin dorë nga ngrirja e aseteve afgane dhe të mos ndëshkojnë qytetarët e rëndomtë afganë për shkak të diskursit politik”, tha anëtari i delegacionit taleban Shafiullah Azam.
“Për shkak të urisë, për shkak të dimrit vdekjeprurës, besoj se është koha që komuniteti ndërkombëtar të mbështesë afganët dhe të mos i ndëshkojë ata për shkak të mosmarrëveshjeve politike”, tha ai.
Më 23 janar, në Oslo të Norvegjisë ishte dita e parë e bisedimeve të delegacionit të talibanëve. Ata biseduan me pjesëtarët e shoqërisë civile mbi temën e të drejtave të njeriut.
LEXO TE NGJASHME