Vala e katërt e virusit po e godet Gjermaninë me forcë, zgjidhja po shihet tek vaksinimi me detyrim

virusi.gjermani.vala

I përjashtuar gjatë, diskutimi po kalon gjithnjë e më shumë në fushën e të mundshmes: vaksinimi me detyrim. Gjithnjë e më shumë politikanë nuk po e përjashtojnë më - edhe për të mbrojtur fëmijët e pavaksinuar.

Nga Deutsche Welle

Vala e katërt e koronës po e godet Gjermaninë me të gjithë fuqinë. Në një kohë që Austria ka vendosur t'i bëjë të detyrueshme vaksinimet nga shkurti i vitit që vjen, në politikën gjermane po shtohen zërat për të ngadalësuar valën e infektimeve me vaksinime me detyrim.

Në veçanti tek partitë konservatore unioniste po bëhen gjithnjë e më të fortë zërat për një vaksinim të përgjithshëm me detyrim. Së fundmi, disa përfaqësues u shprehën hapur në favor të vaksinimit të detyrueshëm, duke përfshirë kryeministrin e Schleswig-Holstein-it. Daniel Günther dhe kryeministrin e Bavarisë Markus Söder. Kryeministri i Bavarisë dhe kryetari i CSU-së Söder tha se krerët e partisë së tij e mbështesin një kërkesë të tillë.

Ministri i Shëndetësisë i Bavarisë, Klaus Holetschek, mund ta përfytyrojë gjithashtu vaksinim me detyrim për të gjithë, përballë rritjes së shpejtë të numrit të infektimeve. "Unë kam qenë gjithmonë një kundërshtar i vaksinimeve me detyrim," tha ai për Deutschlandfunk. Por ai tani beson se "ne duhet të flasim për këtë temë relativisht shpejt". Vaksinimi me detyrim nuk do të ndihmojë sot dhe nesër, por është rruga për të dalë nga pandemia. "Personalisht, si mjet të fundit, tani në fakt jam për këtë vaksinim të përgjithshëm me detyrim”. Kjo duhet të diskutohet relativisht shpejt në Berlin - nevojitet një zgjidhje mbarëkombëtare.

Qeveria në detyrë nuk do të vendosë për vaksinimin e detyrueshëm

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha në Berlin se debati aktual për këtë çështje është i kuptueshëm, pasi është bërë e qartë se nuk mund të ecet përpara thjesht duke informuar dhe propaganduar për vaksinimin. Por qeveria aktuale federale nuk do ta ndryshojë qëndrimin e saj për vaksinimin me detyrim.

Një zëdhënës i Ministrisë Federale të Drejtësisë tha se vaksinimi me detyrim është i mundur nga perspektiva e së drejtës kushtetuese. Megjithatë, kjo do të kërkonte një bazë ligjore dhe duhet të jetë proporcionale. Përveç kësaj, ka çështje mjekësore të cilat do të duhet të sqarohen nga qeveria e ardhshme federale.

Grupi parlamentar i SPD dëshiron të diskutojë të mirat dhe të këqijat e vaksinimit të detyrueshëm me shkencëtarë të tillë si virologu Christian Drosten në një video-konferencë të brendshme. Eksperti socialdemokrat i shëndetësisë, Karl Lauterbach tha për kanalin televiziv "Bild" se duhet të afrohemi me këtë ide. Duhet të fillohet të mendohet për vaksinimet e detyrueshme, tha ai. "Unë definitivisht nuk do ta përjashtoja më këtë dhe prirem të them: kjo vërtet nuk na ndihmon shumë për momentin, por ne duhet t'i afrohemi vaksinimit me detyrim." Lauterbach-u argumentoi më tej: "Pa vaksinim të detyrueshëm, ne padyshim që nuk do ta arrijmë kuotën e vaksinimit që na nevojitet për të kapërcyer situatën me fuqinë e vaksinave që kemi dhe me vlerën R të variantit Delta."

Gjithnjë e më shumë mbështetës të vaksinimit me detyrim

Eksperti i shëndetit publik i të Gjelbërve në Bundestag, Janosch Dahmen, gjithashtu nuk dëshiron ta përjashtojë debatin për një vaksinim të mundshëm me detyrim në Gjermani përballë rritjes së infektimeve. "Po të tregohemo të sinqertë dhe themi se duam të shpëtojmë nga kjo pandemi dhe se gjendja nuk mund të vazhdojë kështu – nuk mund ta shmangim këtë debat, nëse nuk arrijmë një shkallë të mjaftueshme vaksinimi në Gjermani me masa të tjera. tha ai në revistën e mëngjesit të televizionit ARD. "Në këtë kuadër, e konsideroj të pandershme ta përjashtoj këtë në parim”.

Shkaku i debatit për vaksinimin e detyrueshëm të sëmundjes Corona është fakti se, sipas ekspertëve, shkalla e vaksinimit në Gjermani është ende shumë e ulët. Kohët e fundit, megjithatë, ritmi i vaksinimeve është rritur, me kërkesë në rritje veçanërisht për vaksinat përforcuese.

Shefi i RKI e konsideron vaksinimin e detyrueshëm si mjetin e fundit

Presidenti i Institutit Robert Koch (RKI) Lothar Wieler u shpreh i menduar. Vaksinimi me detyrim është "një mjet, dhe këtu jam plotësisht dakord me OBSH-në, që nuk e duam të gjithë”, tha ai për televizionin ZDF. "Askush nuk do të donte vërtet të kemi vaksinim të detyrueshëm”, tha kreu i RKI. "Por pasi i kemi provuar të gjitha të tjerat, OBSH thotë: atëherë duhet të mendojmë edhe për vaksinimin me detyrim”.

Nënkryetari i grupit parlamentar të liberalëve të FDP-së, Michael Theurer, nga ana tjetër deklaroi në televizionin "Bild”: "Ne besojmë se është antikushtetues”. Skeptik u shpreh edhe nënkryetari i grupit parlamentar unionist në Bundestag, Thorsten Frei. Një vaksinim me detyrim duhet të jetë "joproporcional dhe për rrjedhojë jokushtetues në kushtet aktuale, për shkak të cenimit të rëndë të së drejtës për integritet fizik”, tha ai për gazetën "Die Welt”.

Lauterbach beson se mbajtja e një maskë është e nevojshme

Landet i kishin kërkuar shtetit federal që të vendoste një detyrim vaksinimi në institucione të caktuara si spitalet dhe shtëpitë e të moshuarve për të gjithë ata që janë në kontakt me njerëz veçanërisht në rrezik. Kërkesat për një vaksinim të detyrueshëm të krahasueshëm, të paktën për punonjësit e shkollave dhe çerdheve, janë objekt diskutimesh kritike - për të mbrojtur fëmijët e pavaksinuar nga infektimet dhe në të njëjtën kohë për të shmangur mbylljen e shkollave.

"Vaksinimi i detyrueshëm në shtëpitë e të moshuarve është i drejtë, sepse mbron njerëzit veçanërisht të brishtë. Por në shkolla nuk do të ishte domosdoshmërisht i nevojshëm, sepse fëmijët dhe adoleshentët janë më pak të prekur nga një infektim me Covid-19", tha politikani socialdemokrat Lauterbach për të përditshmen "Rheinische Post". Kërkesa për të mbajtur një maskë për nxënësit ka të ngjarë të jetë e nevojshme gjatë gjithë dimrit, tha ai për Rrjetin redaksional Deutschland.

Tema pritet të jetë edhe objekt i një konference pune të ministrave të shëndetësisë të federatës dhe të landeve të hënën pasdite.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.