Edhe të rinjtë e vaksinuar po shtrohen në spitale

vaksina.mashtruese

Kujdes nga ndjenja mashtruese e sigurisë: Në rastet e uljes së efektit mbrojtës të vaksinës gjithnjë e më shpesh edhe të vaksinuarit duhet të shkojnë në spitale, madje edhe ata në moshë më të re.

Nga Alexander Freund, DW.

Bëni kujdes! Ka shumë të vaksinuar që besojnë, se tani që janë vaksinuar janë të sigurtë dhe nuk tregojnë kujdesin e duhur. Vaksina vërtet të mbron nga infektimi me Corona, por megjithatë gjithnjë e më shumë të vaksinuar po infektohen. Dhe shumë shqetësuese është se edhe ecuria e infektimeve tek ata shpesh është më e rëndë e zgjat më shumë se e mendonin ata, edhe më të rinjtë. Sipas Institutit Robert Koch në javën e parë të nëntorit (gjendja e datës 10.11.2021) rreth 23% e të rriturve të shtruar në spital ishin në 60 vjeç dhe 45% e pacientëve nga mosha 60 vjeç e lart ishin të vaksinuar. Në gusht kjo vlerë ishte në 6% tek ata nën 60 vjeç dhe 18% tek ata mbi 60 vjeç.

Vaksinimi megjithatë efektiv

Vërtet që po rritet me shpejtësi numri i të vaksinuarve në spitale që nga vera, por kjo nuk do të thotë, se vaksinat e Coronës janë tanimë përgjithësisht pa vlerë. RKI e vlerëson efektivitetin e vaksinës nga mosha 18 vjeç në rreth 72%. Si edhe më parë të vaksinuarit janë pjesa më e vogël e të shtruarve në spitale. Nëse kuota e vaksinimit do të ishte më e ulët, atëherë sistemi shëndetësor në Gjermani tani do ndodhej para kolapsit.

Sfida kryesore në këtë vjeshtë të vonë do të mbetet, nëse do mund të binden të pavaksinuarit përmes ofertave të vaksinimit kudo në supermarkete apo në ambiente pune si dhe të ofrohen shpejt e në mënyrë të zgjeruar vaksinimet përforcuese, jo vetëm për më të moshuarit e për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë.

Kush janë 18 milionë të pavaksinuarit në Gjermani?

Deri më tani sipas RKI janë dhënë gjithsej 113.672.633 vaksina kundër COVID-19- në Gjermani. Vetëm 1 herë janë vaksinuar 69,8% e popullsisë, dy herë 67,3% e saj. Vetëm 3,7% ka marrë vaksinën përforcuese. Veç 9,2 milionë fëmijëve nën 12 vjeç në Gjermani, për të cilët ende nuk ka vaksinë të lejuar, mbeten rreth 18 milionë vetë në Gjermani që nuk janë vaksinuar, megjithëse mund të vaksinohen. Ka ndërkohë disa studime, që japin të dhëna, se kush nuk do të vaksinohet.

Sipas një studimi të Institutit të Opinionit, Forsa, aktualisht 64% e të pavaksinuarve janë refuzues të vaksinës, 29% hezitojnë ende dhe 7% janë parimisht gati për vaksinim. Shpesh janë më të rinjtë që nuk vaksinohen. Ndërkohë në pjesën e popullsisë nga mosha 18-59 vjeç ka rreth 12 milionë vetë të pavaksinuar. Madje dallime ka edhe mes Lindjes e Perëndimit. Gjermanolindorët janë më pak të gatshëm për vaksinim dhe kanë më pak besim në sigurinë e vaksinës. Ndërkohë që në qytetin-shtet verior gjerman, Bremen janë vaksinuar 81,5% e njerëzve, në lindjen gjermane në Saksoni kjo shifër është 59,4%.

Po ashtu edhe njerëzit me sfond migracioni janë më shpesh të pavaksinuar. Sipas studimit të Forsa-s tek ky grup i popullsisë nuk arrijnë sa duhet fushatat informative në gjuhë të kuptueshme për ta. Edhe në lidhje me të ardhurat ka të dhëna të qarta. Sipas studimit të Institutit Max-Planck për Politikën Sociale dhe të Drejtën Sociale në 27 vende europiane dhe Izraelin, afër 30% e personave me të ardhura të ulta mbi 50 vjeç hezitojnë ose nuk duan të vaksinohen, kurse tek ata që kanë të ardhura të larta kjo shifër është vetëm 7,8%. Rreth 28,5% e të papunëve në Europë e refuzojnë vaksinën.

Edhe qëndrimi politik reflektohet në qëndrimin ndaj vaksinës. Sipas sondazhit të Institutit Forsa rreth 50% e votueseve e votuesve të pavaksinuar në zgjedhjet e fundit të Bundestagut e dhanë votën për partinë populiste, AfD. Tek të pavaksinuarit nuk janë të preferuara partitë CDU/CSU, SPD dhe sidomos Të Gjelbrit. Forsa kishte pyetur rreth 3048 persona nga shtatori deri në mes të tetorit 2021 me porosi të Ministrisë së Shëndetësisë, por ministria nuk kishte kërkuar preferencat partiake të të anketuarve, Forsa e kishte përfshirë këtë aspekt vetë në sondazh.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.