Sondazh i Gallup në 50 shtete: U rikthye mbështetja për udhëheqjen e SHBA

 sondazhhhh.gallup

Një sondazh i Gallupit, zhvilluar në rreth 50 vende të botës tregon një rikthim të mbështetjes ndaj udhëheqjes amerikane gjatë gjashtë muajve të parë të administratës së Presidentit Joe Biden, njofton Zeri i Amerikes.

Rritja vjen pas një rënie në nivele rekord në vitin 2020, vitin e fundit të administratës së Presidentit Donald Trump. Gjatë kësaj periudhe mbështetja mesatare ndaj udhëheqjes amerikane, pas një sondazhi të kryer në 108 vende, llogaritej në 30 për qind.

Gallupi, një kompani analitike me qendër në Uashington, tha se të dhënat për vitit 2021 nuk janë ende të plota, por sipas të dhënave në dispozicion të siguruara deri në fillim të muajit gusht për 46 nga 50 vende, mbështetja ndaj udhëheqjes amerikane llogaritej në 49%.

Ndërkohë në tre vende mbështetja ndaj udhëheqjes amerikane ka pësuar rënie, nga 18% në 13% në Rusi, nga 20% në 16% në Serbi dhe nga 54% në 50% në Benin.

Miratimi ndaj udhëheqjes amerikane ishte shumë më i lartë këtë vit krahasuar me 2020 në disa vende evropiane, duke arritur në 52% në Portugali, 45% në Holandë dhe 41% në Suedi. Rritje e madhe është shënuar edhe në vendin fqinj me SHBA-në, në Kanada, nga 17% në 55%. Po kështu mbështetja ndaj udhëheqsjes amerikane shënoi rritje dyshifrore edhe në Gjermani, Itali, Francë dhe Japoni.

Sipas Gallupit këto zhvillime vijnë për shkak të qasjes së ndryshme në raport me vendet e tjera të botës nga ana e administratave Trump dhe Biden.

Ish-Presidenti Trump u përqëndrua tek politika "Amerika e para", ndërsa Presidenti Biden ka kërkuar të punojë më ngushtë me vendet e tjera.

"Fjalët e veprimet me siguri i kanë dhënë garanci shumë aleatëve të SHBA-së dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi. Ato ndihmojnë në shpjegimin e rritjes së mbështetjes në shumicën e 46 vendeve e territoreve të përfshira në sondazh deri në gjysmën e parë të vitit 2021", tha kompania.

Por edhe pse mbështetja ndaj SHBA pësoi rritje këtë vit, Uashingtoni vazhdon të jetë pas në renditje, krahasuar me disa vende të tjera.

Gjermania u rendit e para në Evropë, Azi dhe në kontinentet Amerikane, bazuar në pyetjen e bërë nga Gallupi drejtuar banorëve të 50 vendeve se udhëheqjen e cilit vend mbështesnin më shumë mes SHBA-së, Gjermanisë, Kinës dhe Rusisë. Shtetet e Bashkuara u renditën të parat vetëm në Afrikë, me një mbështetje prej 53%, ndjekur nga Gjermania me 49%.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.