Senati miraton rritjen e tavanit të borxhit, shmang recesionin ekonomik
Me 50 vota pro dhe 48 kundër, Senati miratoi të enjten masën për rritjen e tavanit të borxhit, duke shmangur pamundësinë e qeverisë federale për të paguar detyrimet e saj financiare, që ekspertët thonë se do të shkatërronte ekonominë, njofton VOA.
Votimi në Senat pasoi një marrëveshje mes republikanëve dhe demokratëve, të arritur më herë të enjten, për të zgjatur autoritetin e qeverisë për të marrë hua deri në dhjetor.Me arritjen e kësaj marrëveshje dhe miratimin e saj në Senat, udhëheqësit republikanë dhe demokratë u tërhoqën nga një përplasje e rrezikshme mbi rritjen e tavanit të borxhit. Senatorët demokratë e pranuan një ofertë nga udhëheqësi i pakicës republikane, Mitch McConnell.
Zoti McConnell e dorëzoi ofertën e republikanëve të mërkuren, pak para se anëtarët e partisë së tij të bënin përgatitjet për të bllokuar legjislacionin afatgjatë për heqjen e kufirit të huamarrjes. Presidenti Joe Biden dhe drejtuesit e bizneseve kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me situatën që do të mund të shkaktonte mosmiratimi i masës për rritjen e tavanit të borxhit, një veprim që do ta bënte të pamundur për qeverinë që të paguante detyrimet e saj financiare, përfshirë pagat e miliona njerëzve. Ata kishin frikë se kjo do ta çonte vendin në një recesion ekonomik.
Shtëpia e Bardhë sinjalizoi mbështetjen e presidentit për marrëveshjen përmes një deklarate të lëshuar nga zëvëndës-zëdhënësja Karine Jean-Pierre, e cila thoshte se Presidenti do ta nënshkruante projektligjin për rritjen e tavanit të borxhit, nëse ai do të miratohej nga Kongresi. Pas miratimit në Senat, masa për rritjen e tavanit të borxhit duhet të marrë miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe nënshkrimin e Presidentit Biden për t'u bërë ligj.
Kjo i hap rrugën një beteje tjetër në dhjetor, kur kongresi do të përballet me afatin për të miratuar shpenzimet për qeverinë dhe atë të rritjes së sërishme të tavanit të borxhit. Autoriteti i tanishëm i qeverisë federale për të marrë hua skadon më 18 tetor.
LEXO TE NGJASHME