Presidenti gjerman: Po përjetojmë një tragjedi njerëzore
Në kuadër të misionit të evakuimit nga Afganistani të ushtrisë gjermane, një avion ushtarak gjerman largoi sot nga Afganistani 125 persona. Situatën në Kabul, Presidenti Steinmeier e quan një "tragjedi njerëzore", shkruan Deutsche Welle.
Fotografitë e njerëzve të dëshpëruar në Aeroportin e Kabulit qarkullojnë kudo në botë. Njerëz të kapur pas aeroplanëve, duke vrapuar nëpër asfalt, me shpresën për të dalë jashtë vendit. Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier shpjegoi se këto pamje nuk lanë askënd të paprekur.
"Ato janë veçanërisht dëshpëruese për të gjithë njerëzit që u angazhuan për një jetë më të mirë atje vitet e fundit, që shpesh u angazhuan me shëndetin e tyre, madje edhe jetën e tyre. Këto ditë ne po përjetojmë një tragjedi njerëzore për të cilën jemi bashkëpërgjegjës dhe një pikë kthese politike, që na trondit dhe që do të ndryshojë botën."
Presidenti Steinmeier u shpreh në favor të largimit nga Afganistani të sa më shumë vetëve nga punonjësit lokalë që punonin për gjermanët dhe të familjeve të tyre. Steinmeier-i theksoi se qeveria gjermane duhet të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të sjellë në siguri jo vetëm qytetarët gjermanë, por edhe ata që kishin qëndruar në anën gjermane për vite me radhë. Imazhet e dëshpërimit nga Kabuli janë të turpshme për Perëndimin, tha Presidenti i Gjermanisë.
Evakuimi i qytetarëve gjermanë dhe kolegëve të tyre afganë të punës ka tani përparësinë kryesore. Por operacioni po ecën me ritëm të ngadaltë. Kushtet në aeroportin e Kabulit janë shumë kaotike.
Një avion i ushtrisë gjermane largoi sot nga Afganistani 125 persona.
Ministri i Jashtëm, Heiko Maas shkroi në shërbimin e Twitterit se në bord ishin gjermanë, afganë dhe pjesëtarë të kombeve të tjera.
Por avioni i parë i Bundeswehrit mundi të largonte vetëm shtatë persona nga Afganistani, gjë që shkaktoi kritika nga partitë opozitare në Gjermani. Ministrja gjermane e Mbrojtjes Annegret-Kramp-Karrenbauer shpjegoi megjithatë në revistën televizive të mëngjesit të ARD-së se kjo ndodhi edhe për shkak të hapësirës së shkurtër kohore që iu dha Bundeswehr-it për qëndrimin në ambientet e aeroportit. "Kjo është arsyeja pse ne morëm me vete vetëm ata që ishin në vend. Dhe dje, për shkak të situatës kaotike, nuk kishte ndonjë numër të madh të tyre në aeroport."
Opozita e pakënaqur me shpjegimet
Kjo perspektivë nuk është e mjaftueshme për opozitën në Berlin. Ambasada gjermane në Kabul e kishte paralajmëruar ministrinë e Jashtme gjermane që herët për rreziqet që vijnë nga përparimi i talibanëve dhe kishte bërë thirrje për veprim të shpejtë. Claudia Roth, politikane e Partisë së Gjelbër dhe Zëvendëspresidente e Bundestagut Gjerman foli në një intervistë me ARD për dështim të qeverisë gjermane përballë situatës.
FDP madje kërkon pasoja personale. "Ne jemi të mendimit se, duke pasur parasysh këtë situatë, këtë gjykim të gabuar, si ministri i Jashtëm ashtu edhe ministrja e Mbrojtjes duhet të dorëzojnë postet në kohën e duhur," tha ekspertja e mbrojtjes e FDP Marie-Agnes Strack-Zimmermann.
LEXO TE NGJASHME