Ndryshim i madh në festimet për Pavarësinë në SHBA, ndërsa përhapet varianti i ri i virusit
Me festimet e 4 korrikut të këtij viti, administrata e Presidentit Biden po shënon suksese në luftën ndaj koronavirusit. Hezitimi ndaj vaksinave vazhdon megjithatë në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa përhapet një variant i ri i virusit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Jesusemen Oni, njofton se si kanë ndryshuar gjërat nga viti i kaluar.
Një ndryshim i madh nga një vit më parë... Këtë fundjavë të 4 korrikut rreth 47 milionë amerikanë pritet të udhëtojnë me avion ose me makina, sipas Shoqatës Amerikane të Automjeteve. Kjo është një rritje prej 40% nga viti i kaluar.
"Po shkojmë drejt një vere shumë të ndryshme krahasuar me vitin e kaluar, një verë e ndritshme, një verë gëzimi fatmirësisht", tha Presidenti Biden.
Gjatë kësaj periudhe vitin e kaluar, shumë amerikanë iu shmangën ose nuk morën pjesë në festimet që shënonin Ditën e Pavarësisë së vendit. Në atë periudhë vendi përballej me një valë të dytë të infeksioneve me COVID-19.
"Tani kemi një vatër shumë të madhe. Ka pasur siç e dini gati 140’000 vdekje dhe kemi disa milionë infektime. Ky është lajm për të na hapur sytë", thoshte në atë kohë Dr. Fauci.
Ndërsa operacioni "Warp Speed" i administratës së ish-Presidentit Trump ende nuk kishte prodhuar një vaksinë efektive, përgjigjja e vendit ndaj COVID-19ës u lihej kryesisht shteteve, ndërsa shpesh rezultonte në udhëzime kontradiktore. Numri i njerëzve që vdisnin nga virusi do të arrinte kulmin në rreth 1’100 në ditë. Por tashmë, pamja është krejt ndryshe.
“Kemi ndryshime madhore - vaksinat, natyrisht, por gjithashtu kemi njohurinë se si t’i trajtojmë pacientët me COVID-19. Kuptojmë terapitë që duhet të përdorim, ato që nuk kanë rezultuar me probleme”, thotë Dr. Taison Bell, nga spitali UVA Health.
Tani janë të disponueshme tre vaksina të autorizuara nga qeveria federale. Dhe me një fushatë vaksinimi agresive nga Shtëpia e Bardhë, shtetet dhe qeveritë lokale, vdekjet janë në rënie - mesatarisht 256 në ditë (sipas CDC-së).
“Nëse shikoni se kush po shtrohet në spital sot, se cilët janë njerëzit që sëmuren aq shumë me COVID-in sa duhet të shkojnë në spital, mbi 90% janë të pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar. Me fjalë të tjera, vaksinat po i mbajnë njerëzit e vaksinuar jashtë spitalit; po e bëjnë punën e tyre”, thotë Dr. William Schaffner, nga Qendra Mjekësore e Universitetit Vanderbilt.
Administrata e Presidentit Biden po vlerëson faktin se janë administruar më shumë se 326 milionë doza - dhe se 54% e amerikanëve janë vaksinuar plotësisht. Por hezitimi për vaksinat vazhdon dhe objektivi i presidentit për të vaksinuar 70% të të rriturve deri më 4 korrik nuk u realizua.
"Kemi parë se ka qenë shumë më e vështirë të vaksinohen të rinjtë midis moshës 18 dhe 26 vjeç, sesa të rriturit e moshave më të mëdha”, tha Jen Psaki, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.
Ata që nuk janë vaksinuar paraqesin rrezik për popullatën e përgjithshme nëpërmjet përhapjes së mutacioneve të reja dhe ndoshta më të dëmshme të COVID-it, paralajmëron mjeku i kujdesit intensiv, Taison Bell.
“A mund të ketë ndonjë variant tjetër në të ardhmen që ndoshta mund të ketë mutacionin që e ndihmon t’iu shpëtojë vaksinave dhe pastaj neve të na duhet të rikthehemi tek A-ja? Kjo sigurisht që është e mundur”, thotë Dr. Bell.
Vatrat e përhapjes së variantit Delta kanë shkaktuar masa të reja izolimi në disa pjesë të botës që po luftojnë me një nivel rekord infeksionesh dhe vdekjesh, me më shumë se një të katërtën e rasteve në Shtetet e Bashkuara që tani i atribuohen këtij varianti.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shpërndarja e vaksinave është një problem kryesor.
“Shpërndarja e vaksinave në të gjithë botën është e pabarabartë. Pra, disa vende kanë kaluar me të vërtetë përpara dhe kanë vaksinuar më shumë se 50% të popullsisë së tyre… Por, ne kemi vendet e tjera dhe shumica e tyre, vendet me të ardhura të mesme e të ulëta, kanë vaksinuar pak më shumë se 1% të popullsisë së tyre… Ne kemi ngritur alarmin, gjithnjë e me zë më të lartë, duke u thënë vendeve se nëse keni marrë doza, ndajini ato tani", thotë Dr. Margaret Harris, zëdhënëse e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ekspertët e mjekësisë janë dakort se shpresat për zbutjen e pandemisë dhe për të patur festime edhe më normale të 4 korrikut vitin e ardhshëm varen nga një përpjekje globale më e koordinuar.
LEXO TE NGJASHME