Vendet e G-7s bien dakort për një sërë çështjesh të rëndësishme

0.2samiti.g7

Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se samiti i G-7ës ishte një "takim jashtëzakonisht bashkëpunues dhe produktiv" që shënoi përparime në luftën kundër pandemisë së koronavirusit, ringjalljen e ekonomisë globale dhe që veçoi Kinën me emër për sjelljen e saj të keqe, shkruan Zeri i Amerikes. 

Duke folur për gazetarët të dielën në fund të mbledhjes në Gjirin Carbis të Britanisë, Presidenti Biden vlerësoi gjithashtu marrëveshjet mbi trajtimin e korrupsionit, luftën kundër programeve të hakerimit dhe dhënien fund të financimeve publike për projektet e qymyrit (por pa ndonjë marrëveshje të përcaktuar kohore).

Drejtuesit e G-7ës të dielën nënshkruan Deklaratën e Gjirit Carbis, https://www.g7uk.org/g7-leaders-to-agree-landmark-global-health-declaration/ duke u zotuar t'i "japin fund pandemisë dhe të përgatiten për të ardhmen", si dhe të "gjallërojnë ekonomitë" me 12 trilionë dollarë mbështetje të vëna në dispozicion gjatë pandemisë.

Udhëheqës të tjerë, përfshirë Kryeministrin britanik Boris Johnson, mikëpritës i takimit, i bënë jehonë motos së përdorur nga presidenti Biden për të "ndërtuar më mirë".

Deklarata përfundimtare, që e merr emrin nga vendndodhja e takimit të G-7ës në qytetin bregdetar Cornwall në Britani, parashtron nevojën për të trajtuar problemin e pandemisë në një nivel global. Qëllimi është të shkurtohet koha e nevojshme për t'u përgjigjur në rastin e një pandemie, përfshirë zhvillimin e vaksinave, brenda 100 ditësh.

"Kishte një konsensus të qartë midis të gjithë kolegëve tanë në G-7 se ky nuk është fundi," tha Presidenti Biden për betejën kundër koronavirusit. "Ne do të ndihmojmë derisa të sigurojmë nevojat e të gjithë botës".

Krerët e Britanisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë - një grup i demokracive më të pasura në botë, i njohur si Grupi i Shtatëshes - u shoqëruan në diskutimet e tyre mbi shëndetin global edhe nga udhëheqësit e Koresë së Jugut, Afrikës së Jugut dhe Australisë. Kryeministri indian Narendra Modi u bashkua virtualisht. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe udhëheqës të organizatave të tjera ndërkombëtare ishin gjithashtu të pranishëm.

Konferenca demonstroi për udhëheqësit e G-7ës dhe popujt e tyre se "Amerika është përsëri në tryezë", tha presidenti Biden, pas katër viteve të administratës së Donald Trumpit. "Unë mendoj se kemi bërë disa përparime në rivendosjen e besueshmërisë tek Amerika mes miqve tanë më të ngushtë."

"Mungesa e pjesëmarrjes dhe angazhimit të plotë në të kaluarën u vunë re jo vetëm nga udhëheqësit e këtyre vendeve, por edhe nga njerëzit e vendeve të G-7ës", shtoi presidenti Biden gjatë një konference për shtyp.

1 miliard vaksina

Udhëheqësit e G-7 njoftuan se do të dhurojnë një miliard doza vaksinash për botën, me gjysmën e tyre që do të vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Ata u angazhuan për një seri veprimesh për t'i dhënë fund pandemisë dhe për parandalimin e një pandemie tjetër në të ardhmen, duke përfshirë rritjen e kapacitetit global të prodhimit dhe përmirësimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nevojiten rreth 11 miliardë doza vaksinash.

"Rezultati i këtij samiti jo frymëzues do të jetë një pandemi e zgjatur që kushton më shumë jetë njerëzish dhe burimesh, jo vetëm në të gjithë botën, por edhe në vetë vendet e G7-ës," tha Tom Hart, ushtrues i detyrës së shefit ekzekutiv të organizatës ONE CAMPAIGN, një organizatë shëndetësore kundër varfërisë.

"Mendoj se ka një mundësi përtej vitit 2022, ndoshta në fillim të vitit 2023 që ne të jemi në gjendje të sigurojmë edhe një miliardë (doza) të tjera nga Shtetet e Bashkuara," tha presidenti Biden.

G-7 dhe Kina

Presidenti Biden tha se ishte i kënaqur që G-7a u përqëndrua tek Kina.

Herën e fundit që G-7a u takua, Kina nuk u përmend”, vuri në dukje presidenti amerikan. “Por kësaj herë përmendet Kina me emër. G-7a shprehimisht ra dakord për t’i bërë thirrje Kinës mbi abuzimet e të drejtave të njeriut në Xinjiang dhe Hong Kong. Kina ka goditur ashpër kryesisht ujgurët e pakicës myslimane në Xinjiang dhe shtypi lëvizjen pro-demokracisë në Hong Kong.

Në komunikatën përfundimtare thuhet se G-7a "do të vazhdojë të konsultohet mbi qasjet kolektive për të sfiduar politikat dhe praktikat që minojnë funksionimin e drejtë dhe transparent të ekonomisë globale. Ai gjithashtu i bën thirrje Pekinit "të respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, veçanërisht në lidhje me provincën Xinjiang dhe të drejtat, liritë dhe shkallën më të lartë të autonomisë për Hong Kongun të pranuara në Deklaratën e Përbashkët Sino-Britanike dhe Ligjin Themelor".

Presidenti Biden tha se "Kina duhet të fillojë të veprojë më me përgjegjësi në drejtim të normave ndërkombëtare të transparencës dhe për të drejtat e njeriut".

Grupi njoftoi një mekanizëm të ri të financimit të infrastrukturës për vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të quajtur "Build Back Better World", ose "B3W", i projektuar për të rivalizuar nismën kineze “Një Brez, Një Rrugë”- strategjia globale e investimeve për zhvillimin e infrastrukturës në qendër të politikës së jashtme të Pekinit . Fusha dhe burimi i financimeve janë ende të paqarta.

Të dielën Kina u kundërpërgjigj, duke thënë se ditët kur vendimet globale diktoheshin nga një "grup i vogël" vendesh janë shumë larg.

Bideni dhe Putini

Gazetarët amerikanë i bënë disa pyetje Presidentit Biden në lidhje me takimin e planifikuar të kësaj jave me Presidentin rus Vladimir Putin, duke vërejtur se sanksionet ndaj Moskës nuk kanë ndryshuar sjelljen e udhëheqësit rus.

"Autokratët kanë pushtet të madh dhe nuk kanë pse t'i përgjigjen një publiku", u përgjigj zoti Biden. "Dhe mund të ndodhë që nëse unë përgjigjem me dashamirësi, gjë që do ta bëj, ai të mos shkurajohet dhe të dëshirojë të vazhdojë".

Biden tha se ai ishte dakord me vlerësimin e Putinit se marrëdhëniet midis dy vendeve të tyre janë në një pikë të ulët.

Një fushë e marrëveshjeve të mundshme me Rusinë, sipas presidentit amerikan do të ishin ekstradimet reciproke të kriminelëve kibernetikë të cilët kanë shënjestruar vendet e tyre përkatëse - diçka që Putini ka thënë se e favorizon.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.