Vaksinat po funksionojnë, ja si paraqitet situata e Covid-19 në vend të ndryshme të botës
Është e lehtë të arrihet në përfundimin e nxituar, se pandemia e koronavirusit po del sërish jashtë kontrollit. Numri i rasteve të reja, arriti një rekord të ri javën e kaluar, me 5.2 milion njerëz të infektuar në të gjithë botën. Tre muaj më parë, shumë njerëz në Indi po i gëzoheshin mundësisë që vendi po i afrohej imunitetit të tufës. Tani aty numri i rasteve të reja po rritet me një shpejtësi alarmante. Në Evropë, entet rregullatore dhe politikanët, po përpiqen ende të menaxhojnë shqetësimet mbi sigurinë, që janë ngritur në lidhje me vaksinën e AstraZeneca.
Në SHBA, agjencitë shëndetësore kanë pezulluar përdorimin e vaksinës së Johnson & Johnson. Por moria e titujve dëshpërues nëpër media, nuk mund ta fshehë dot një fakt:tani është e qartë që vaksinat anti-Covid po funksionojnë. Në vendet ku rastet kanë rënë muajt e fundit, vaksinat kanë shpëtuar shumë jetë. Po kështu ka ndodhur edhe në vendet që janë duke u përpjekur për të shtypur një valë të tretë ose të katërt të pandemisë.
Ja si paraqitet situata në 5 vende nga rajone të ndryshme të botës.
Efekti i vaksinës në Britaninë e Madhe
Në Mbretërinë e Bashkuar, nivelet e rasteve të reja, pranimet në spital dhe vdekjet nga Covid-19, kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme që nga janari i këtij viti në mesin e të gjitha grupmoshave, gjë që sugjeron se kufizimet kanë ndihmuar në shtypjen e valës së lartë të infeksioneve të këtij dimri që sapo lamë pas. Por nivelet në tri parametrat (raste, shtrime, vdekje), kanë pësuar rënien më të madhe midis të moshuarve, që janë edhe grupmoshat më të vaksinuara. Kështu pjesa e rasteve tek njerëzit mbi 80 vjeç, ka rënë me 80 për qind që kur kanë nisur vaksinimet.
Efekti i vaksinës në Francë
Një valë e tretë e koronavirusit, e ka penguar një përparim të madh. Por janë gjithsesi të dukshme të njëjtat shenja të efektit të vaksinimeve. Kështu numri i rasteve të reja dhe shtrimet në spital, shënuan vërtet rritje në muajin mars. Por ato u rritën shumë më ngadalë në mesin e grupeve më të vaksinuara.
Vdekshmëria vazhdoi të bjerë në mesin e të moshuarve, me gjithë një rritje më të madhe tek të rinjtë. Ringjallja e pandemisë në Francë, u nxit nga mbërritja e variantit britanik B.1.1.7. Në mars të këtij viti, ai u bë varianti dominant në të gjithë Evropën, dhe tani po përhapet në mbarë Amerikën e Veriut.
Përvoja e SHBA-së
Edhe këtu të dhënat sugjerojnë se vaksinat po sjellin atë që pritej. Ndërsa varianti britanik ka sjellë një shtim të shtrimeve në spital, kjo rritje është e nxitur nga të rinjtë, ndërsa normat e shtrimit në spital tek të moshuarit kanë vazhduar të bien, dhe këta të fundit kanë qenë të parët që nisën të vaksinohen.
Kili po përballet me një valë të tretë
Testi më i rreptë për vaksinat anti-Covid ka ndodhur në Kili, ku një përhapje e shpejtë e vaksinës kineze Sinovac, përkoi me një valë të tretë të fortë të koronavirusit në këtë vend. Por sërish të dhënat tregojnë se janë shtuar shtrimet në repartet e kujdesit intensiv në mesin e të rriturve më të rinj, por kanë rënë në mesin e grupeve të moshave, që ishin prioritet në fillim të fushatës së vaksinimit.
Beteja globale vazhdon
Shumë vende po përjetojnë shpërthime të rënda epidemike. Vendi më i goditur për momentin është India, që po raporton më shumë se 200.000 raste të reja në ditë. Pjesa e testeve të atyre që rezultojnë pozitivë ndaj Covid-19, po rritet më shpejt se sa çdo vend tjetër, gjë që sugjeron që shumë raste nuk po gjurmohen. Ndërkohë në zonat më të goditura, spitalet janë plot e përplot. Deri më sot vetëm 8 për qind e popullsisë, ka marrë të paktën një dozë vaksine.
Lufta e Amerikës Latine kundër Covid-19
Ashtu si India, shumica e vendeve që po përballen ende shpërthimet brutale të pandemisë, janë në botën në zhvillim. Në Amerikën Latine, Uruguai ka raportuar një rritje të numrit të përditshëm të vdekjeve nga Covid-19, nga 1.15 për 1 milion më 1 mars në 18.55 për 1 milionë banorë më 15 prill, duke e renditur të tretin në botë. Edhe Argjentina dhe Brazili po vuajnë shumë në këto momente. Brazili ka pasur 123.000 vdekje nga Covid-19 vetëm gjatë 2 muajve të fundit, duke e çuar totalin e viktimave në gati 375.000.
Sulmi fundi i Covid-19?
Mjeti kryesor për të nxjerrë Indinë dhe Amerikën Latine nga pandemia, është i njëjtë me atë kudo tjetër:vaksinat. Pas një viti, në të cilin qindra miliona kanë jetuar nën kufizime për të shpëtuar shumë jetë njerëzish, synimi është të arrijmë në pikën ku njerëzit mund të kalojnë më shumë kohë duke u shoqëruar me pak kufizime, ndërsa rastet vazhdojnë të bien.
Izraeli duket se ka mbërritur në fazën e fundit të Covid-19, dhe Britania e Madhe është aty pranë. Ndërsa vendet vazhdojnë programet e tyre të vaksinimit, më shumë vende do t’u bashkohen atyre.
LEXO TE NGJASHME