Media greke ngre alarmin për rishikimin e kufijve: Plani për Shqipërinë e Madhe, "bombë" në Ballkan
Askush nuk ka nevojë që të jetë ekspert në historinë e Ballkanit për të kuptuar se ekzistojnë një numër konfliktesh etnike të pazgjidhura që nuk lejojnë që shtetet dhe popujt të “qetësohen” dhe të përpiqen të ecin përpara, duke lënë pas të kaluarën e përgjakshme.
Ideja për rishikimin e kufijve në Ballkan ka rihapur një debat të gjerë në rajonin problematik, por jo vetëm, pasi shqetësimi ka shkuar deri në Bruksel, të paktën tashmë në sipërfaqe. Mediat greke e cilësojnë idenë e ndryshimit të kufijve në rajon si “bombë”.
“Herë pas here, vatra që nuk kanë ndalur së ndezuri pas shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë kërcënon për një tragjedi të re dhe të djegë tërë rajonin. Herë në Kosovë, herë në Maqedoninë Veriore, herë në Bosnjë dhe Hercegovinë, zhvillimet vijnë për të na kujtuar se asgjë nuk ka mbaruar.
Padyshim, kjo është diçka që jo vetëm populli, por edhe udhëheqësit e dinë dhe e kuptojnë si në Ballkan ashtu edhe në BE” shkruan media greke, “Tanea”. Shumë shtete kanë reaguar fuqishëm kundër këtij plani, duke filluar nga Gjermania që është kategorike.
Por si u rikthye ideja e ndryshimit të kufijve në Ballkan?
Të enjten portali slloven “Necenzurirano.si” publikoi një dokument që pretendon se është kopje e dokumentit.
Sipas atij dokumenti propozohet ripërcaktimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë, bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi i pjesëve me shumicë shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, mundësia e shkëputjes së Republikës Serbe nga Bosnje e Hercegovina si dhe bashkimi i një pjese të Bosnjës perëndimore me Kroacinë.
Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë.
Kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.
“Përndryshe, Sllovenia kërkon seriozisht zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe ardhmërinë evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa pikërisht shkrimet e tilla përpiqen ta pengojnë këtë qëllim”, shkroi ai në rrjetet sociale, por debati vazhdon.
LEXO TE NGJASHME