Ish-ambasadori William Burns në krye të CIA, agjencisë amerikane të spiunazhit
Ligjvënësit në Senat konfirmuan ish-ambasadorin William Burns në postin e Drejtorit të CIA-s të ejten, duke plotësuar ekipin e Presidentit Biden me një anëtar tjetër të rëndësishëm. Senatorët miratuan me një votim të hapur unanim zotin Burns, vetëm disa orë pasi u hoq një bllokim ndaj kandidaturës së tij, njoftoi Zeri i Amerikes.
Burns mori mbështetje nga demokratët dhe republikanët pas dëshmisë së tij para Komisionit të Senatit për Zbulimin. Kryetari i këtij komisioni, senatori Mark Warner e quajti mbështetjen dypartiake për zotin Burns si një "dëshmi të kualifikimeve të padiskutueshme të tij".
Por zoti Burns u ndesh me një bllokim në fillim të këtij muaji nga senatori Ted Cruz, i cili citoi kundërshtimet ndaj qasjes së administratës Trump në lidhje me gazsjellësin natyror të Rusisë “Nord Stream 2”.
Senatori Cruz e hoqi bllokimin të enjten pasi Sekretari i Shtetit Antony Blinken lëshoi një deklaratë duke paralajmëruar vendet pjesëmarrëse në projektin rus se rrezikojnë të përballen me sanksione nga Shtetet e Bashkuara nëse e mbështesin projektin rus.
Pas konfirmimit nga Senati të enjten, 64-vjeçari Burns bëhet diplomati i parë i karrierës që drejton agjencinë amerikane të spiunazhit.
Ish zyrtarët e inteligjencës kanë thënë se ai do të duhet të përballet shpejt me disa sfida, përfshirë shqetësimet në lidhje me moralin brenda agjencisë që burojnë nga ankesat se produktet e inteligjencës u politizuan nën administratën e ish-Presidentit Donald Trump.
"Politika duhet të ndalet aty ku fillon puna e inteligjencës", u tha Burns ligjvënësve gjatë seancës së tij të konfirmimit muajin e kaluar, duke premtuar se do ta kthente agjencinë në synimin e saj për "t’ia thënë të vërtetën pushtetit".
Presidenti Biden ka "thënë se ai dëshiron që agjencia t'i japë atij informacionin e saktë dhe unë ia kam premtuar pikërisht atë dhe se do të mbroja ata që bëjnë të njëjtën gjë", shtoi Burns.
Sa i përket sfidave të jashtme, ish-zyrtarë dhe ligjvënës kanë thënë se përvoja disa dekadëshe e zotit Burns si diplomat, duke përfshirë rolet e tij në Rusi dhe Lindjen e Mesme, do t'i shërbejnë atij mirë në punën e re.
Burns, megjithatë, u tha ligjvënësve se përparësia e tij kryesore do të jetë kundërvënia ndaj Kinës, duke u thënë ligjvënësve se "ambicia dhe këmbëngulja agresive, e fshehur" e Pekinit është një "thirrje shumë e mprehtë për veprim".
Burns gjithashtu ka paralajmëruar se CIA duhet të jetë e kujdesshme dhe të mos nënvlerësojë Rusinë, Iranin dhe një mori kundërshtarësh të tjerë.
Ish zyrtarët e inteligjencës thonë se lista e përparësive është e gjatë.
"CIA nuk mund ta heqë vëmendjen nga terrorizmi, ose sfidat serioze të paraqitura nga Rusia dhe Irani", i tha Zërit të Amerikës Larry Pfeiffer, ish-shef i personelit të CIA-s. "Ai gjithashtu duhet të punojë me agjencitë e tjera të inteligjencës dhe klientët e tij për të përcaktuar nivelin e duhur të mbështetjes së CIA-s për sfidat gjithnjë e më të rëndësishme të shëndetit global, ndryshimit të klimës dhe kibernetikës."
"Dhe, natyrisht, kjo do të duhet të ndodhë në një periudhë me zero rritje të buxhetit", shtoi ai.
LEXO TE NGJASHME