Çfarë përfitimesh sjell çertifikata dixhitale e vaksinimit, e gjelbra?
Izraeli e ka futur ndërkohë në përdorim, BE do të fillojë në qershor me "certifikatën e gjelbër digjitale". Ky dokument duhet të lehtësojë udhëtimet dhe jetën e përditshme. Kush do të pajiset me certifikatë?
Të gjithë personat që jetojnë në Bashkimin Evropian ose mund të hyjnë legalisht në BE mund të kenë një çertifikatë ku shihet nëse i plotësojnë kërkesat për hyrje apo jo. Nënshtetësia nuk ka këtu ndonjë rëndësi. Të gjitha vendet e BE-së si dhe Zvicra, Lihtenshtajni, Islanda dhe Norvegjia marrin përsipër se do ta njohin këtë çertifikatë të lëshuar në vendet e përfshira me këtë marrëveshje.
Çfarë vërtetohet me këtë certifikatë?
Vërtetohet vaksinimi me një vaksinë të licencuar në BE apo shërimi nga virusi Corona., Vërtetohet pra që një person ka krijuar antitrupa. Vërtetohet po ashtu se dikush ka bërë një test negativ ndaj Coronës - me metodën PCR ose një test të shpejtë antigjenesh. Të ashtuquajturat vetë-teste nuk pranohen. Çertifikata lëshohet në mënyrë elektronike ose në letër me një QR-Code nga autoritetet kombëtare të shëndetit. Shtetet anëtare të përfshira në këtë marrëveshje mund të pranojnë edhe vaksinat kineze ose ruse.
Çfarë të drejtash jep kjo certifikatë?
Personat që kanë një çertifikatë të këtillë, nuk kanë nevojë të kenë një test negativ ndaj Coronës, nuk do të futen në karantinë dhe mund të udhëtojnë lirshëm brenda Bashkimit Evropian dhe në vendet që e kanë pranuar këtë çertifikatë. Por vendet anëtare nuk janë të obligueshme të respektojnë në tërësi këtë rregullore, në qoftë se paraprakisht e njoftojnë Komisionin e BE-së dhe i paraqesin arsyet e veta pse duhet të ketë rregulla të tjera.
A mund t'i zëvendësojë kjo certifikatë dokumentet personale?
Jo, certifikata nuk e zëvendëson pasaportën apo letërnjoftimin. Personat që jetojnë legalisht në vendet e BE apo në vendet e përfshira në këtë marrëveshje do të mund të udhëtojnë lirshëm edhe pa këtë dokument. Por është e mundur që nga personat që nuk kanë këtë dokument të kërkohen teste dhe karantinim.
Cilat janë përparësitë e certifikatës?
Secili shtet anëtar i përfshirë në këtë marrëveshje do të vendosë vet se cilat avantazhe do të kenë personat që posedojnë këtë "Librezë vaksinimi". Në Austri parashikohet rregullimi i hyrjes në restorante me këtë dokument. Në Greqi personat me këtë dokument do të mund të sistemohen në hotele. Në shtetet e tjera, si në Gjermani për shembull, ende nuk është vendosur se cilat do të jenë përparësitë për personat që kanë këtë çertifikatë. Ndërsa shoqatat për fluturime, organizatorët e koncerteve, teatrot, kinematë dhe të tjerët mund të vendosin vetë nëse do të kërkojnë këtë dokument për shërbimet e tyre, pavarësisht vendimeve të qeverisë përkatëse.
Cilat janë rregullat për personat që nuk kanë nënshtetësi të ndonjë vendi të BE apo vendeve të përfshira në këtë marrëveshje?
Komisioni i BE do të angazhohet që kjo çertifikatë të njihet në mbarë botën. Sipas mundësive, Komisioni do të kërkojë që mundësisht të njihen edhe çertifilkatat e lëshuara nga Izraeli ose vendet e tjera. Do të mbështeten edhe projektet përkatëse të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo ka për qëllim të lehtësojë udhëtimet transkontinentale. Por rregulla të sakta deri tani nuk ka. Këto priten në disa muajt e ardhshëm.
Kur fillon aplikimi i këtyre dokumenteve?
Synimi është që të fillohet në qershor të vitit 2021. Deri në qershor duhet të jetë gati Platforma teknike e BE për këtë përdorimin e këtij dokumenti. Deri atëherë 27 shtetet anëtare të BE dhe katër shtetet që do të shoqërojnë këtë rregullore, duhet të projektojnë çertifikatat e tyre kombëtare të pranueshme edhe për vendet e tjera.
Meqenëse "projekti i librezës për vaksinim" do të jetë një ligj i vërtetë, i detyrueshëm për shtetet anëtare, ai duhet të kalojë edhe procedurat normale për një ligj. Shtetet anëtare duhet të bien dakord për këtë në Këshillin e BE. Me këtë duhet të pajtohet edhe Parlamenti Evropian, ku ndërkohë ka disa kërkesa për ndryshime. Miratimi i ligjeve normale dhe zbatimi i tyre në 27 shtetet anëtare zakonisht zgjat me vite të tëra. Por këtë herë gjërat duhet të rregullohen brenda disa javësh.
Si do të kontrollohet "çertifikata e gjelbër digjitale"?
Kontrollet e udhëtarëve në ndonjë vend të caktuar apo kontrollet sistematike në kufijtë e jashtëm të vendeve, në aeroporte ose në stacionet e trenave e të autobusëve nuk parashikohen në draftin e Komisionit të BE. Nuk do të ketë pra rregulla të përbashkëta për të gjitha vendet. Këto rregulla, kontrollet dhe mënyra e zbatimit të rregullave do të përcaktohet nga shtetet anëtare. Një prej zgjidhjeve të mundshme është kontrolli i kohë pas kohshëm. Organizatorët e manifestimeve, shoqatat për fluturime ajrore dhe pronarët e lokaleve mund të kërkojnë çertifikatën në hyrje në aeroplan, në sallë, restorant apo në kinema dhe teatër. Kjo është çështje e tyre.
Sa kohë është e vlefshme çertifikata?
Vlefshmëria e këtij dokumenti është përcaktuar me 180 ditë pas shërimit nga Covid-19, që do thotë gjashtë muaj pasi një person është shëruar nga kjo sëmundje. Por çertifikata mund të zgjatet nëse personi pas kësaj periudhe vaksinohet. Kohëzgjatja e vlefshmërisë pas vaksinimit ende nuk dihet. Ndërsa çertifikata pas një testi mund të zgjatë prej disa orë e deri në disa ditë, varësisht nga lloji i testit. Personat që ndërkohë janë vaksinuar mund të shkojnë tek autoritetet dhe të marrin këtë dokument pa pasur nevojë që të vaksinohen prapë. Kjo çertifikatë do të hiqet nga përdorimi në momentin kur OBSH ta shpallë të përfunduar pandeminë Corona.
LEXO TE NGJASHME