Detaje nga vrasja e shqiptares në Belgjikë/ Rrëfehet Autori: Ma kërkoi djalli!
Mediat belge kanë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Bruksel, ku humbi jetën 33-vjeçarja shqiptare pasi u godit për vdekje me bombol që shërbente për fikjen e zjarrit.
Autori 36-vjeçar, i cili është me origjinë nga Franca ishte arratisur nga një institucion psikiatrik në Marsejë dhe hyri në hotelin ku punonte Xhuljeta Lala. Ai rrëfeu se e vrau “sepse ia kërkoi djalli”.
Ai ishte arratisur nga psikiatria që prej javës së kaluar dhe mbrëmjen e së dielës, hyri në hotel. Në deklaratën e tij rrëfen se dëgjoi “të gjitha llojet e zërave”, duke përfshirë kryesisht atë të djallit, i cili thotë se e urdhëroi atë të vriste vajzën.
Si ndodhi ngjarja
Pacienti po ecte i zhveshur në korridor, rrëmbeu një bombol për fikjen e zjarrit, hyri në dhomën ku ndodhej Xhuljeta dhe e goditi për vdekje. Një anëtar i stafit të hotelit zbuloi skenën, shkruan media belge.
Kur mbërriti policia, autori ishte akoma i zhveshur dhe po qëndronte pranë viktimës dhe i kishte kryqëzuar kyçet e duarve. Dukej sikur ishte gati të arrestohej. “Unë e vrava atë. Më ndalo, është në rregull”, tha ai.
Policia mbërriti me urgjencë në vendin e ngjarjes dhe vuri në pranga autorin pa vështirësi. Viktima kishte punuar në hotelin “Best Western” për pesë vjet. Kolegët e saj u tronditën nga ngjarja e rëndë.
Rrëfimi i dajës
Daja i viktimës, Trifon Caponi ka zbuluar se si e mësuan lajmin e hidhur duke thënë: “E pamë direkt nga Facebook lajmin, e morën vesh dynjaja pastaj ne se unë s’para shoh mirë. Ishte njeri punëtor, i thjeshtë. Iku si njeri i zakonshëm për punë, me të drejtat e veta dhe të shtetit. Nga ora 11:30 duke pastruar në hotel, del një person në enigmë që e godet nga pas me këto bombolat e zjarrit.
Kolegia e saj, e cila ka qenë me fytyrë e ka parë dhe është larguar direkt. Kjo ka qenë me kurriz, ndaj e ka goditur direkt. Morëm vesh se e kanë marrë dhe e kanë çuar në spital, sot nuk e di çfarë kanë bërë tek morgue e të gjithë të tjerat.”
Xhuljeta Lala jetonte me vëllain dhe 3 motrat në Begjikë prej rreth 10 vitesh. Ata u larguan për një jetë më të mirë pas vrasjes së 2 prindërve nga një person nga Divjaka rreth 20 vite më parë. Për familjen, kjo është rihapje e plagëve dhe që i ka pikëlluar shumë.
Caponi ka rrëfyer historinë e hidhur të familjes që detyroi vajzat të emigronin larg Shqipërisë: “Para 19 vjetësh, një djalë Divjake i ka vrarë në një natë të dy prindërit dhe një nga motrat u plagos. Kjo që po flasim tani, me gjithë vëllain kanë hyrë poshtë krevatit dhe kanë shpëtuar nga plumbat atje. Fatkeqësia e gjurmoi atje. Direkt u larguan për Greqi, pastaj për në Belgjikë për një jetë më të mirë, larg këtyre gjërave që nuk mund t’i shikojmë dot me sy.
Atëherë kur ndodhi ngjarja, i kam kërkuar kryeministrit që ka qenë në detyrë atëherë, Pandeli Majko. I kam thënë që nuk dua vetëgjyqësi, por shteti ta kapë personin e ta varë para syve të të gjithë popullit. Pandeli Majko më është përgjigjur që ky ligj është hequr.”
Sa i përket pistës së hetimit, thotë se nuk mund ta hedhë dyshime pasi nuk kanë pasur debate me askënd. Ndërsa për versionin që jep policia, sqaron se: “Ka qenë një njeri me të meta mendore, i dalë nga psikiatria, ka hyrë në hotel dhe ndodhi kjo e papritur që na lëndoi neve për së dyti herë.”
LEXO TE NGJASHME