Kontrollet e rrepta kufitare të Gjermanisë zemërojnë fqinjët
Nga frika e mutacioneve të Coronas, Gjermania ka forcuar kontrollet në kufijtë me Republikën Çeke dhe Tirolin. Kryeministri i Landit të Zarës, Hans nuk e përjashton të njëjtën gjë as për Francën.
Kontrollet e kufirit që tashmë janë forcuar në jug dhe juglindje të Gjermanisë si reagim ndaj përhapjes së varianteve të virusit të Coronas kanë shkaktuar kritika në vendet fqinje me Gjermaninë.
Ambasadori gjerman në Vjenë "ftohet për të biseduar"
Në Austri, sipas policisë së Tirolit, nuk ka pasur bllokime të konsiderueshme të qarkullimit deri tani, por mosmarrëveshja politike nuk është zgjidhur. Në Vjenë, ambasadorin gjerman Ralf Beste e ftuan në Ministrinë e Jashtme të Austrisë. Një zëdhënëse e ministrisë i tha ARD-së se ai nuk u thirr, por u ftua në një takim.
Ka shumë pyetje pa përgjigje, sepse rregulloret e hyrjes dhe ndalimi i hyrjes përmes Deutsches Eck janë joproporcionale dhe kanë pasoja jo vetëm për Tirolin, por për të gjithë Austrinë dhe ekonominë atje, u tha. Biseda u zhvillua në një atmosferë të mirë dhe, si zakonisht, në një nivel nëpunësish të lartë, dhe shpresohet që të gjenden zgjidhje pragmatike.
Në fundjavë, pakënaqësi shkaktuan para së gjithash rregullat deri tani të paqarta gjermane të hyrjes për udhëtarët vajtje-ardhje. Sepse ende nuk është përcaktuar përfundimisht se cili konsiderohet i rëndësishëm për sistemin dhe cili jo. Çdo ditë në të dyja anët e kufirit mes Tirolit dhe Gjermanisë qarkullojnë rreth 5000 vetë. Në këtë land federal të Austrisë janë regjistruar qindra raste të konfirmuara dhe të dyshuara të variantit të virusit që u gjet për herë të parë në Afrikën e Jugut.
Pengesa në Republikën Çeke, pakënaqësi në Sllovaki
Në dallim me Austrinë, në anën çeke u formuan bllokime trafiku prej kilometrash të gjata, për shembull në autostradën A17 nga Praga në Dresden. Siç raportoi Drejtoria Federale e Policisë Pirna, udhëtarët u ndeshën me disa orë kohë pritjeje gjatë ditës. Që të dielën, udhëtarëve u duheshin një ose dy orë për të vazhduar udhëtimin, pasi hynë në fuqi kontrollet kufitare.
Shoferët sllovakë të kamioneve gjithashtu i ndjenë pasojat. Sllovakia, e cila nuk ka kufi të përbashkët me Gjermaninë, u klasifikua nga qeveria federale si një e ashtuquajtur zonë e variantit të virusit për shkak të numrit në rritje të varianteve të koronavirusit. Ministri i Jashtëm sllovak Ivan Korcok ndërhyri te Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, sepse shoferëve u kërkohej një test i detyrueshëm.
Komisionerja e Shëndetësisë e BE, Stella Kyriakides gjithashtu i kritikoi rregullat gjermane të hyrjes. "Frika nga variantet e koronavirusit është e kuptueshme. Por e vërteta është se virusi nuk mund të ndalet nga kufij të mbyllur," tha ajo të dielën për "Augsburger Allgemeine".
Franca paralajmëron për pasoja ekonomike
Ministri i Francës për Evropën, Clement Beaune i quajti ashpërsimin e kontrolleve të kufirit në Gjermaninë e Jugut "një vendim të ashpër". Ai mendon se kjo ka pasoja negative edhe për autoritetet gjermane. "Ka pasoja shumë negative. Sa herë që flitet për mbylljen e kufijve në zemër të Evropës, kjo ndikon në ekonomi." Prishet rrjedha e trafikut, ndërlikohet jeta e udhëtarëve. Franca nuk dëshiron kufij të mbyllur me Gjermaninë, veçanërisht jo për shoferët e kamionëve që shpërndajnë ilaçe.
Hans nuk përjashton kontrolle më të rrepta
Kryeministri i Landit të Zarës, Tobias Hans nuk e përjashtoi që mund të ketë pasoja të dhimbshme edhe për Francën. "Në varësi të mënyrës se si po përhapen tani këto variante midis fqinjëve tanë, ne nuk mund të përjashtojmë kontrolle më të rrepta mbi njerëzit që lëvizin përtej kufirit," tha politikani i CDU në një deklaratë të qeverisë në Saarbrücken. Në të njëjtën kohë, ai premtoi një koordinim të ngushtë me vendet fqinje.
Francën aktualisht e shqetëson departamentin Moselle në kufi me Gjermaninë, ku javën e kaluar u zbuluan zyrtarisht çdo ditë 100 infektime të reja me mutacionin e virusit të Afrikës së Jugut. Ende nuk është vendosur nëse aty do të bëhet një mbyllje. Ka vetëm një ndalim liri-daljeje, si në të gjithë Francën.
LEXO TE NGJASHME