Biden thotë se Trump-it nuk duhet t'i jepen më informacione sekrete

0.4biden 2 w bug1612589866

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden nuk beson se paraardhësi i tij Donald Trump duhet të ketë qasje në informacionet e zbulimit për shkak të "sjelljes së tij të çorientuar" dhe shqetësimit se ai mund t’ua japë atë informacion të tjerëve, tha zoti Biden në një intervistë të premten, njofton Zeri i Amerikes.

"Mendoj se jo", tha zoti Biden kur u pyet nga drejtuesja e emisionit CBS Evening News, Norah O'Donnell nëse ish-presidenti republikan Trump, duhet t’i merrte informimet e zbulimit.

Ish-presidentët amerikanë tradicionalisht kanë marrë disa informacione zbulimi edhe pasi kanë lënë detyrën.

Ish-presidenti Trump e denigronte shpesh komunitetin e zbulimit dhe nuk preferonte raportime të gjata për zbulimin gjatë mandatit të tij në Shtëpinë e Bardhë. Ai kishte vënë gjithashtu në pikëpyetje përfundimet e zbulimit amerikan sipas së cilave Rusia kishte ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2016.

Zoti Biden tha se pikëpamja e tij se Trump nuk duhet të merrte njoftimet e zbulimit nuk ishte e lidhur me trazirat e Kapitolit.

"Për shkak të sjelljes së tij të çorientuar, pa lidhje me rebelimin”, tha zoti Biden, duke shpjeguar arsyetimin e tij.

I pyetur se cili do të ishte shqetësimi i tij më i madh nëse zoti Trump do të merrte informacion të tillë të klasifikuar sekret, zoti Biden nuk pranoi të hynte në hollësi.

"Do të preferoja të mos spekuloja me zë të lartë. Thjesht mendoj se nuk ka nevojë që ai të ketë informacione të tilla. Çfarë vlere ka t’i japësh atij një përmbledhje informacioni zbulimi? Çfarë ndikimi ka ai, përveç faktit se mund t’i rrëshqasë goja dhe të thotë diçka?", tha presidenti Biden.

Shtëpia e Bardhë kishte thënë më parë se çështja ishte nën shqyrtim.

Për muaj me radhë pas zgjedhjeve, zoti Trump sfidoi rezultatin e tyre me ankesa në gjykata dhe duke bërë akuza të pabazuara për mashtrim të përhapur me votimet. Ai nuk mori pjesë në inaugurimin e zotit Biden më 20 janar, ku ishin të pranishëm ish-presidentë të tjerë të Shteteve të Bashkuara, duke zgjedhur të udhëtojë në Florida, ku është vendosur pas presidencës.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.