Biden i kërkon drejtorit të emëruar nga Trump të qëndrojë në krye të FBI
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Joe Biden i ka kërkuar Christopher Wrayt të mbetet në pozitën e drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI). Wray është emëruar nga ish-presidenti Donald Trump, njofton REL.
Biden “synon ta mbajë drejtorin e FBI-së, Wray, në rolin e tij dhe ai ka besim në punën që ai bën”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, në një postim në Twitter.
Psaki tha se ka shkaktuar “paqartësi të paqëllimshme” një ditë më herët, kur ka thënë se nuk ka biseduar me presidentin në lidhje me Wrayn.
Kjo ka shkaktuar disa spekulime se Wray, 54 vjeç, do të largohet nga pozita.
Wray ka qenë shpesh në shënjestër të kritikave të Trumpit për refuzimin e tij për të mbështetur pretendimet e pabaza për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, në të cilat Biden ka dalë fitues.
Kreu i FBI-së emërohet për një mandat 10-vjeçar.
Wrayt i kanë mbetur edhe gjashtë vjet për të shërbyer.
Vendimi i Bidenit për ta mbajtur Wrayn në krye të FBI-së u mirëprit nga Adam Schiff, kryesues i Komitetit të Inteligjencës, pranë Dhomës së Përfaqësuesve.
LEXO TE NGJASHME