OKB ngre alarmin: Rritja e temperaturave është katastrofike
Kombet e Bashkuara thonë se viti i kaluar ka qenë ndër dy vitet më të nxehta të regjistruara dhe paralajmëruan se bota po përballet me një rritje katastrofike të temperaturave këtë vit.
Të dhënat janë publikuar më 14 janar në një raport të Organizatës Botërore të Meteorologjisë (WMO). Organizata me bazë në Gjenevë tha se dekada që sapo ka përfunduar (2010-2020), ka qenë më e nxehta e regjistruar, ndërsa vitet 2016 dhe 2020 janë shënuar si vitet më të nxehta që kur njerëzit kanë filluar të masin temperaturat.
Vitin e kaluar, temperatura mesatare globale ishte rreth 14.9 gradë Celsius, tha raporti. Kjo është rreth 1.2 gradë Celsius mbi nivelet e regjistruara para epokës industriale, duke filluar rreth vitit 1850.
“Këtë shekull ne jemi drejt një rritje katastrofike të temperaturës prej 3-5 gradë Celsius“, tha sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, përmes një deklarate.
Raporti, është një përmbledhje e pesë grupeve të të dhënave ndërkombëtare të ndryshme duke përfshirë edhe agjencinë hapësinore në SHBA, NASA.
Viti i kaluar ishte “një shembull i asaj se si është të jetosh nën disa nga efektet më të rënda të ndryshimit të klimës”, tha meteorologu i NASA-s, Lesley Ott.
“Proceset natyrore që ka Toka për thithjen e dioksidit të karbonit të lëshuar nga aktivitetet njerëzore – bimët dhe oqeani – thjesht nuk janë të mjaftueshme për të thithur sasinë që po e lëshojmë në atmosferë”, tha, Gavin Schmidt, drejtor i Institutit për Studime Hapësinore “Goddard” të NASA-s.
LEXO TE NGJASHME