Sulmi më i rëndë i hakerave në histori/ Tensione SHBA-Rusi
Ky është cilësuar si sulmi më i rëndë i hakerave në historinë e SHBA.
Sipas gazetës BILD, mendohet se hakerat kanë arritur të depërtojnë në pika shumë nevralgjike të SHBA, madje edhe te Qendra Kërkimore Bërthamore Amerikane.
Dhjetëra autoritete amerikane janë prekur nga sulmi. Sipas burimeve, të paktën tre laboratorë bërthamorë në Sandia dhe Los Alamos janë bërë viktima të këtij sulmi me përmasa të paprecedenta. Nën sulm janë vendosur edhe Microsoft dhe shumë kompani të tjera amerikane.
Nën sulm ka qenë edhe Departamenti i Transportit. Po ashtu hakerat kanë depërtuar edhe në sistemin energjetik dhe mund të kenë tentuar të provojnë që të fikin të gjithë sistemin.
Gazeta BILD shkruan se sulmi është përgatitur prej vitesh dhe ka nisur nga marsi i shkuar. Hakerat mendohet se janë aktorë rusë, që veprojnë në emër të Kremlinit.
Nëse konfirmohet ky dyshim, presidenti Donald Trump do të ketë një punë shumë të vështirë në ditët e fundit në pushtet. Administrata e tij është kritikuar se ka eliminuar këshilltarin e sigurisë kibernetike në Shtëpinë e Bardhe dhe se ka nënvlerësuar rrezikun e ndërhyrjes ruse.
Demokratët nga ana e tyre kanë kërkuar një reagim të shpejtë dhe të ashpër. Presidenti i zgjedhur, Joe Biden ka premtuar se do ndëshkojë hakerat sapo të marrë postin.
Rusia e ka mohuar përfshirjen, por ekspertët thonë se gjurmët kanë shenjat e Kremlinit.
LEXO TE NGJASHME