Greqi, qeveria do të vendosë çmim tavan për testet e Covid-19
Athinë - Qeveria greke do të vendosë një çmim maksimal për PCR molekulare dhe testet e shpejta të antigjenit të kryera në klinika private dhe laboratorë, njoftoi të premten Sekretari i Përgjithshëm për Tregtinë dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, Panagiotis Stampoulidis.
Kufiri i çmimit për një test PCR do të përcaktohet në 40 euro dhe për një test të shpejtë antigjeni në 10 euro, u tha ai gazetarëve në konferencën e rregullt mbi pandeminë.
Vendimi do të përfshihet në një ndryshim që do të paraqitet nga Ministria e Zhvillimit në ditët në vijim.
Në të njëjtën konferencë, profesorja e Pediatrisë dhe Sëmundjeve infektive të Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, znj. Vana Papaevangelou, tha se komiteti i ekspertëve që këshillojnë qeverinë për pandeminë nuk po shqyrton ende heqjen e masave kufizuese të vendosura për të ndalur përhapjen e virusit.
"Lehtësimi i shkallës së infeksionit është më i ngadaltë sesa ajo që prisnim," tha ajo, duke shtuar se 86 përqind e njësive të kujdesit intensiv në vend janë mbushur.
Zv.Ministri i Mbrojtjes Civile Nikos Hardalias identifikoi 18 rajone në Greqi që kanë ngarkesën më të madhe virale: Pella, Drama, Selaniku, Grevena, Florina, Pieria, Imathia, Serres, Larissa, Kilkis, Halkidiki, Magnesia, Xanthi, Karditsa, Evros, Kavala, Rodopi dhe Trikala.
LEXO TE NGJASHME