Debati presidencial Trump - Biden: kur të flasë njëri, tjetrit do t'i mbyllet mikrofoni
Mikrofonët e Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat Joe Biden do të jenë të mbyllur për disa pjesë të debatit të tyre të fundit të enjten, për t’i dhënë mundësi secilit kandidat që të përgjigjet pa ndërprerje sipas Komisionit për Debatet Presidenciale.
Komisioni që është organizatori i debatit televiziv në Nashville, tha se ndryshimet ishin të nevojshme pas debatit të parë të ashpër midis kandidatëve më 29 shtator, shkruan Zëri i Amerikës.
"Ne e kuptojmë, pas diskutimeve me të dy fushatat, se asnjë prej fushatave nuk mund të jetë plotësisht e kënaqur me masat e njoftuara sot," shprehej komisioni në një deklaratë. "Ne jemi të bindur që këto veprime realizojnë ekuilibrin e duhur dhe se janë në interes të popullit amerikan, për të cilin mbahen këto debate."
Organizatorët e debatit do t'i japin secilit kandidat nga dy minuta kohë të pandërprerë në fillim të secilit segment të debatit, që do të jetë nga 15 minuta secili.
"Kandidati i vetëm, mikrofoni i të cilit do të jetë i hapur gjatë këtyre dy minutave është kandidati që ka fjalën sipas rregullave," tha komisioni.
Fushata e Presidentit Trump u shpreh kundër ndryshimit, por tha se ai gjithsesi do të merrte pjesë.
"Presidenti Trump është i angazhuar të debatojë me Joe Bidenin pavarësisht nga ndryshimet e minutës së fundit të rregullave nga komisioni i njëanshëm në përpjekjen e tij të fundit për të siguruar avantazh për kandidatin e tyre të preferuar ," tha menaxheri i fushatës Bill Stepien.
Fushata e zotit Biden nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi zhvillimet e fundit.
Presidenti Trump e ndërpreu në mënyrë të përsëritur zotin Biden gjatë një debati kaotik dhe të acaruar më 29 shtator, dhe demokrati Biden u përgjigj me fyerje.
Zoti Trump u tërhoq nga një debat i dytë i planifikuar për të enjten e kaluar mbi një mosmarrëveshje në lidhje me formatin virtual pas infeksionit të tij me COVID-19. Ato ditë, ai shtroi shqetësime për mbylljen e mundshme të mikrofonit të tij.
"Ulesh para një kompjuteri dhe bën debat - është qesharake dhe pastaj të ndërpresin kur të duan", tha zoti Trump në një intervistë më 8 tetor në televizionin Fox Business.
Të hënën, fushata e zotit Trump tha se ishte e pakënaqur me temat për debatin e së enjtes, duke argumentuar se duhej të përqendrohej më shumë në politikën e jashtme dhe duke u ankuar që grupi jopartiak ishte i prirur pro zotit Biden.
Fushata e zotit Biden tha se të dyja palët më parë kishin rënë dakord të lejonin moderatorët të zgjidhnin temat dhe se PresidentiTrump donte të shmangte diskutimin e administrimit të tij të pandemisë së koronavirusit, gjë që sondazhet tregojnë se është çështja kryesore për votuesit.
"Si zakonisht, presidenti është më i shqetësuar me rregullat e një debati sesa t’i japë një vendi që është në krizë ndihmën që i nevojitet," tha zëdhënësi i zotit Biden
LEXO TE NGJASHME