Katastrofa nga zjarret në perëndimin amerikan, shkencëtarët: Ky është fillimi
Zjarret kanë djegur deri tani një sipërfaqe rekord prej 1 milion hektarësh në Kaliforni. Shteti i Uashingtonit po përballet me sipërfaqen e dytë më të madhe të djegur ndonjëherë. 500 mijë banorë kanë marrë paralajmërim ose urdhër për evakuim në Oregon, një shifër që përfaqëson 10% të popullatës së shtetit, njofton Zëri i Amerikës.
Këto nuk janë shkatërrime të papritura. Ekspertë të klimës kanë kohë që u bien këmbanave të alarmit, thotë eksperti i zjarreve në Universitetin e Kalifornisë, LeRoy Westerling.
"Kemi realizuar modele e simulime kompjuterike prej vitesh që tregojnë se po afrohen sezone me zjarre të përhapura, të pakrahasueshme me ato që janë regjistruar ndonjëherë. Po shohim realizimin në kohë reale, vit pas viti këtu në Kaliforni dhe shtetet përreth. Pra, nuk është aspak për t’u habitur,” thotë eksperti.
Nga ana tjetër, shton ai, kur e përjeton realisht është krejt ndryshe nga modeli. “Kjo është reale dhe na ka tronditur me shkatërrimin që çdo vit bëhet më i rëndë“.
Temperaturat në rritje, thatësira të tejzgjatura
Përhapja e zjarreve kërkon bimësi të tharë dhe ndryshimet klimatike e ndihmojnë këtë proces, thotë zoti Westerling.
Rritja e temperaturave nënkupton se bimësia e gjallë thahet më shpejt. Kalifornia dhe Oregoni kanë regjistruar ngrihje mesatare prej 1.1 gradësh Celcius krahasuar me fillimin e shekullit XX, ndërsa Uashingtoni është ngrohur 0.8 gradë Celcius, sipas Administratës Kombëtare të Oqeaneve dhe Atmosferës. Nuk kanë munguar as rritjet ekstreme të temperaturës sidomos kur llogaritet numri i netëve të nxehta.
Ngrohja klimatike ndikon tek sasia e rezervave ujore. Bora që shkrin nga malet ka rëndësi kritike për të ushqyer rajonin. Por me pakësimin e rreshjeve të borës dhe zëvendësimin e tyre nga shirat, uji nuk grumbullohet në rezervuare natyrore, por shkarkohet më shpejt. Kjo nënkupton më pak rezerva ujore gjatë stinës së nxehtë të verës.
Vitet e fundit janë regjistruar temperatura më të larta gjatë verës. Sipas një studimi të ri, pjesa jugperëndimore e SHBA ka regjistruar periudhën e dytë më të nxehtë në më shumë se 1000 vjet. Vetëm fundi i viteve 1500 ishte më i nxehtë. Ky është një rajon i thatë dhe në masë të madhe shkretinor, por studimi ka zbuluar se ndryshimet klimatike kanë transformuar thatësira të moderuara të rajonit në super-thatësira që po zgjasin për dekada.
Kjo ka goditur rëndë pyjet e zonës. Miliona pemë janë tharë; ato që mbijetojnë janë tani më të pambrojtura nga sulmet e insekteve, të cilët preferojnë temperatura të nxehta. Shumë prej insekteve që ngordhnin gjatë dimrit, tani mbijetojnë pasi janë rritur temperaturat edhe gjatë stinës së ftohtë. Si rezultat, afro 150 milionë rrënjë pemë u shkatërruan në mbi 4 milionë hektarë sipërfaqe vetëm në Kaliforni, sipas Shërbimit Amerikan të Pyjeve.
Faktori njerëzor
Njerëzit po e përkeqësojnë situatën në një numër mënyrash.
Zjarri është një pjesë natyrore e ekosistemeve në perëndimin amerikan. Zjarret zakonisht digjeshin në dyshemenë e pyllit, duke pastruar bimësinë midis pemëve më të mëdha, rezistente ndaj zjarrit. Por për dekada, banorët dhe industritë në rajon kanë punuar për të kontrolluar zjarret sa më shumë që të jetë e mundur.
LEXO TE NGJASHME