Nuk do ti bashkohet botës për zbulimin e vaksinës, SHBA: OBSH është e korruptuar
Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka thënë se nuk do të kontribuojë në një nismë botërore për zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e drejtë e të barabartë të një vaksinë kundër sëmundjes Covid-19 për shkak se kjo nismë drejtohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, të cilën e cilëson si të korruptuar.
Plani Covax është përgatitur nga OBSh-ja bashkë me Koalicionin për Inovacione të Epidemive dhe Aleancën për Vaksina. Me këtë plan synohet që të përshpejtohen zhvillimi dhe testimi i një vaksine dhe puna për shpërndarjen e drejtë dhe të barabartë të saj.
OBSh-ja njoftoi muajin e kaluar se mbi 170 shtete janë në bisedime për të dhënë kontribut në këtë plan, transmeton Gazeta Express.
Sidoqoftë, Judd Deere, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të përfshihen në organizata të ndikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila, siç tha ai, është e korruptuar.
Ekspertët shëndetësorë thonë se refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të kontribuar në planin Covax nënkupton që ky shtet po mbështetet në zhvillimin e vaksinës brenda vendit dhe se është duke i nxitur edhe shtetet e tjera që ta bëjnë të njëjtën gjë.
Sipas tyre, kjo do të mund të shkaktonte rritje të çmimit të dozave, shkruan The Guardian.
LEXO TE NGJASHME