Trump në fushatë kundër Biden: Plani i tij, më i rrezikshmi dhe më vdekjeprurësi
Presidenti Donald Trump ngriti përsëri të martën çështjen e imigracionit, që ishte temë kryesore për fushatën e tij të vitit 2016, duke sulmuar rivalin demokrat Joe Biden.
Ndërsa demokratët ishin mbledhur në mënyrë virtuale për të denoncuar politikat e presidentit dhe për të emëruar zyrtarisht zotin Biden, Presidenti Trump foli para votuesve në dy shtete të pavendosura dhe u përpoq gjithashtu të fitonte vemendjen e votueseve gra.
Në Arizona, një nga shtetet e ashtuquajtura fushëbetejë për zgjedhjet e këtij viti, presidenti u përpoq të argumentojë se një fitore e rivalit të tij do të rrezikonte "mbijetesën e vendit” dhe në mënyrë hiperbolike i quajti “të çmendura dhe vdekjeprurëse" politikat e kundërshtarit.
"Plani i Bidenit është plani më radikal, më ekstrem, më i papërgjegjshëm, më i rrezikshëm dhe më vdekjeprurës i paraqitur ndonjëherë nga një kandidat i një partie kryesore," tha ai. "Duhet të mposhtet. Dhe do të mposhtet më 3 nëntor."
Presidenti Trump i interpretoi me tone të errta pikëpamjet e zotit Biden për emigracionin, të cilat janë më centriste se sa pikëpamjet e shumë të tjerëve në partinë e tij.
Për shembull, zoti Biden nuk e mbështet eliminimin e agjencisë së Imigracionit dhe Doganave dhe argumenton se kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme duhet të ndiqet penalisht e jo të trajtohet si shkelje civile, siç propozonin shumë demokratë të tjerë që u përpoqën të fitojnë emërimin e partisë.
Me këtë udhëtim fushate, i dyti brenda dy ditësh, Presidenti Trump shpresonte të pengonte një rritje në anketa të rivalit të tij, që zakonisht vjen pas një kuvendi partie, si dhe të zgjeronte mbështetjen duke u përqendruar tek imigracioni, një nga temat më të rëndësishme për bazën e tij politike.
Javët e fundit, Presidenti Trump është përpjekur të rrisë mbështetjen mes votueseve femra, një elektorat me rëndësi vendimtare për të, duke shtuar aktivitetete që kanë në qendër gratë. Fushata e tij ka nisur një turne tjetër me autobusë, i quajtur "Gratë për Trumpin". Ndërkohë presidenti po përpiqet t’i japë një shtytje të re mesazhit të tij për zbatimin e "ligjit dhe rendit".
Presidenti Trump gjithashtu bëri një ndalesë në Cedar Rapids të shtetit tjetër fushëbetejë, Ajova, i prekur kohët e fundit nga një stuhi shkatërrimtare dhe ku shumë njerëz janë shprehur të revoltuar se autoritetet federale nuk duan t’ia dinë shumë për gjendjen e tyre. Presidenti premtoi ndihma për kapërcimin e gjendjes.
Stuhia, e cila solli erëra me shpejtësi 100 kilometra dhe kishte fuqinë e një uragani, shkuli pemë, përmbysi automjete dhe shkaktoi dëme në masë.
"Ne po ju gjendemi pranë dhe gjithmonë do t’i gjendemi pranë Ajovës,” tha Presidenti Trump, pasi kryebashkiaku i qytetit i kërkoi atij të shikojë mundësinë për më shumë ndihmë financiare për njerëzit e prekur.
Në Juma të Arizonës, në kufi me Meksikën, Presidenti Trump theksoi axhendën e tij të imigracionit dhe u informua për ndërtimin e murit kufitar. Ai këmbënguli se, përveç përmbushjes së zotimit të tij për ndërtimin e murit, ishte Meksika ajo që po paguante, edhe pse kjo nuk mbështetet nga faktet.
Ai u tha gazetarëve se po planifikon të miratojë një tarifë për të gjithë ata që hyjnë nga ky kufi.
"Meksika do të paguajë," tha ai. "Ne po përpiqemi të përcaktojmë se sa e lartë duhet të jetë tarifa".
LEXO TE NGJASHME