SHBA, rritje shqetësuese e numrit të të infektuarve me COVID-19
SHBA shënoi një rekord shqetësues ditor të enjten prej më shumë se 75 mijë personash të infektuar me koronavirus, sipas të dhënave të gazetës “New York Times”. U desh një javë që të tejkalohej rekordi i mëparshëm prej mbi 68 mijë të infektuarisht të rinj, i vendosur të premten e kaluar.
Ndërsa numri i rasteve të reja me koronavirus po shkon në rritje, zyrtarët shtetërorë vazhdojnë të shpërndajnë mesazhe të ndryshme se si ta trajtojnë pandeminë.
Guvernatori i shtetit jugor të Alabamës Kay Ivey, nxorri të enjten urdhërin që detyron banorët të vendosin maska në publik, ndërsa shteti raportoi rreth 50 vdekje të reja të mërkurën. Guvernatori i Montanës Steve Bullock urdhëroi vendosjen e detyrueshme të maskave në të gjitha mjediset publike të brendshme në ato lokalite ku ka katër ose më shumë persona të infektuar.
Por në shtetin jugor të Xhorxhas, i cili regjistroi rreth 3,900 raste të reja, totali i dytë më i lartë i tij që nga fillimi i pandemisë, guvernatori Brian Kemp lëshoi një urdhër të ri që ndalon qytetet të vendosin me detyrim maska, duke shtuar se “inkurajon fuqishëm përdorimin e tyre”.
Disa kryetarë bashkish të këtij shteti, përfshirë kryeqytetin Atlantën, kanë bërë të ditur se do ta kundërshtojnë vendimin e zotit Kemp dhe do të zbatojnë urdhrat që tashmë kanë nxjerrë për përdorimin e detyruar të maskave.
Deri tani 26 nga 50 shtete amerikane kanë urdhëruar përdorimin e detyruar të maskave. Shtetet e Bashkuara kanë mbi 3.5 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe mbi 138 mijë të vdekur, që prej fillimit të pandemisë./ VOA
LEXO TE NGJASHME