Kredia rikthehet ne krize.Ne gusht, rritja vjetore e kreditimit ra gati ne zero

kredite bankare454552

Kredia për ekonominë u rikthye në stanjacion gjatë muajit gusht, teksa rritja krahasuar me një vit më parë zbriti në vetëm 0.1 për qind. Të dhënat statistikore nga Banka e Shqipërisë tregojnë se stoku total i kredisë që bankat kanë dhënë për biznesin dhe individët arriti në 550.5 miliardë lekë në gusht nga 549.9 që ishte në gushtin e një viti më parë.

Ndonëse në gjysmën e parë të këtij viti u duk se kredia po rigjallërohej të dhënat e dy muajve të fundit konfirmojnë se Shqipëria vazhdon të jetë e mbërthyer në një krizë të gjatë kredish. Kjo pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për rigjallërimin e kreditimit përmes uljes së normës bazë në nivelet minimale historike.

Të dhënat tregojnë se i vetmi segment i kredisë me rritje është ai i individëve. Sipas BSH, krahasuar me një vit më parë, kredia për individë është rritur me 4.2 miliardë lekë, apo me rreth 2.6%.  Ndërsa biznesi vazhdon të mos ketë oreks për financim. Huaja për bizneset është ulur me rreth 5 miliardë lekë krahasuar me gushtin e vitit të kaluar ose afro 1.2%.

Sistemi financiar në ngërç

Sistemi financiar shqiptar është në ngërç dhe prej tre vitesh nuk po arrin të kryejë funksionin bazë, atë të ndërmjetësimit financiar. Stanjacioni i kredisë tregon se si bankat ashtu dhe biznesi hezitojnë të marrin përsipër rreziqe.

Shkaku kryesor për këtë janë kreditë e këqija. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kreditë me probleme kërcyen ne 21.1 për qind e totalit në gusht duke u rritur me gati 3 pikë përqindje krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar ku shifra ishte 18.2 për qind.

Sipas Bankës Botërore, Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që ka përjetuar rritje të kredive të këqija gjatë këtij viti, pasi në të gjitha vendet e tjera huatë me probleme kanë rënë.

Po kështu pak ditë më parë,  Banka e Shqipërisë paralajmëroi se sistemi bankar po përballet me një valë të re të kredive të këqija. “Brenda strukturës së kredive me probleme, zgjerimi i konsiderueshëm i klasës nënstandard tregon se ka një fluks të ri në klasat e kredisë me probleme,” – deklaroi BSH në raportin e fundit të sistemit financiar.

Kjo rritje e re e kredive me probleme duket se ka dekurajuar sërish bankat private të disbursojnë kredi të reja për biznesin.

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.