Misteri/ Shkoi në pyll për të prerë dru, por u zhduk në mënyrë misterioze 27-vjeçari
Një 27-vjeçar është zhdukur pa gjurmë teksa shkoi për të prerë dru në pyll në fshatin Kishaj të Hasit. I riu Ajet Lleshi, është larguar nga banesa mëngjesin e djeshëm (6 prill) dhe nuk është kthyer më.
Në mbrëmje familjarët e tij kanë ngritur alarmin në polici dhe pavarësisht kërkimeve në zonë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe banorë të fshatit, nuk është bërë e mundur gjetja e 27-vjeçarit.
Policia po vijon kërkimet për gjetjen e të riut ndërsa iu është bërë apel qytetarëve që kush ka informacion për vendndodhjen e tij të telefonojë në 112.
Njoftimi i policisë:
Has/ Shërbimet e Komisariatit të Policisë Has, mbrëmjen e djeshme, janë njoftuar nga familjarë të shtetasit A. Ll., 27 vjeç, banues në fshatin Kishaj, se rreth orës 17:00 kishin humbur kontaktet me 27-vjeçarin, i cili ishte larguar nga banesa në mëngjes, për të prerë dru, në pyll.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë nisur kërkimet në zonë, në bashkëpunim me Emergjencat Civile dhe banorë të fshatit, për gjetjen e shtetasit A. Ll., por ende nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Vijojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit A. Ll.
Për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e këtij shtetasi, qytetarët mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
LEXO TE NGJASHME