"Do dalim menjëherë nga Ballkani i Hapur, po rrënon fermerët", Berisha prezanton 17 pikat e programit në bujqësi 

 640 0 67e3f9a214426

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar 17 pikat kryesore të programit të PD-së dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore, për bujqësinë, duke theksuar nevojën urgjente për reforma të thella në këtë sektor.

Berisha deklaroi se, me futjen e Shqipërisë nga Edi Rama në ‘Ballkanin Hapur’, bujqësia shqiptare ka përjetuar rënie të thellë, duke çuar në falimentimin e mijëra fermave dhe në një prodhim të ulët të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale.

Kryedemokrati Sali Berisha theksoi se një nga prioritetet e tij kryesore do të jetë dalja menjëherë nga kjo iniciativë, për të mbrojtur fermerët shqiptarë dhe për të rritur prodhimin në vend. Ai prezantoi një plan ambicioz që përfshin mbështetje të fuqishme për fermerët, subvencionimin e naftës, dhe krijimin e një infrastrukture më të fuqishme për zhvillimin e bujqësisë.

I pyetur nga mediat se çfarë po paralajmëron me postimin e tij në rrjetet sociale ‘sherifi po vjen në qytet’, lideri i opozitës, Sali Berisha e ka cilësuar Chris LaCivita, kryestrategun e fushatës elektorale që do të udhëheqë fitoren e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjatë deklaratës për mediat Berisha u shpreh se, Chris LaCivita është faktor botëror elektoral, gjë që sipas tij nuk mund të mohohet, duke shtuar se  fushata që bëri për Donald Trump, arriti të dominojë mbi miliardë euro polle për të mashtruar qytetarët.

Gjatë deklaratës me mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sfiduar Edi Ramën, duke e thirrur në një përballje debati, për të diskutuar për programin e partive për zgjedhjet e 11 majit. Berisha i ka cilësuar dalje për mediat të Edi Ramës si mashtrime, dhe mbylljen e tij ndaj gazetarëve. ‘Të vijë në debat, por është mbyllur me zhaba dhe Lali Lulin’, tha  kreu i opozitës, Sali Berisha gjatë deklaratës për mediat nga selia e Partisë Demokratike.

FJALA E PLOTE:

Made in Albania, shtyllë kryesore e Shqipërisë Madhështore, kërkon një bujqësi të zhvilluar dhe fermerë shqiptarë të suksesshëm.

Bujqësia në Shqipëri këto 12 vite ka njohur rënie të madhe.

Me firmosjen e Ballkanit të Hapur, mijëra ferma në Shqipëri kanë falimentuar.

Prodhimi bujqësor dhe blegtoral ka një rënie dramatike.

Numri i krerëve të bagëtive është ulur me 62 përqind krahasuar me vitin 2013.

Sot, 80 përqind e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në tregun shqiptar vijnë nga eksportet.

Bujqësia, e cila punëson rreth gjysmë milionë shqiptarë dhe jep 19 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, merr nga buxheti një mbështetje prej 0.19 përqind të PBB.

Pra, disa herë më pak se vendet e rajonit, dhe në dallim nga këto vende, shumica e fondit të parashikuar në buxhet për bujqësinë, nuk shkon tek fermerët, por shpenzohet për administratën.

Programi ynë për Shqipërinë Madhështore në bujqësi bazohet në Made in Albania, rritjen e madhe të prodhimit bujqësor dhe blegtoral, mbështetjen e fuqishme për fermerët dhe suksesin e tyre.

Për arritjen e këtij qëllimi, qeveria e koalicionit të PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore

do të:

-Subvencionojë për çdo njësi prodhimi, kokë bagëti dhe fidan të blerë fermerët dhe rritje për këtë qëllim e fondit të subvencionimit direkt të fermerëve nga 0.5 përqind e shpenzimeve buxhetore, apo 31 milionë që është de facto, në 3.5 përqind sa është niveli mesatar i rajonit.

-Mbrojtje sezonale e prodhimeve bujqësore.

-Dalje e menjëhershme nga Ballkani i Hapur që po rrënon prodhimin bujqësor dhe blegtoral shqiptar dhe zbatimi i të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga Procesi i Berlinit dhe procesi i integrimit evropian.

-Karta e ID do jetë NIPT-i i fermerit, mbështetje direkte, subvencion për sipërmarrësit në fushën e bujqësisë, ku çdo fermer do identifikohet me një NIPT.

-TVSH-ja në sektorin e përpunimit të prodhimeve bujqësore do jetë e njëjtë në shitje dhe blerje, kështu që paratë do shkojnë direkt tek fermeri dhe jo tek grosisti.

-Nafta do të subvencionohet gjer në nivelin e kostos.

-Mbështetje të veçanta pa kufizim për fermerët në fushat prioritare të bujqësisë, të përcaktuara nga qeveria, fushat e eksportit, fusha e blegtorisë, pemëtarisë dhe agro-përpunimit.

-Subvencionim i normave të interesit deri në masën 80 përqind për kreditë bankare në fushën e bujqësisë. Kjo ndërhyrje është emergjente për rritjen e injektimit të parave në këtë sektor.

-Zhvillimi i infrastrukturës bujqësore do mbështetet nga investime thelbësore veçanërisht në ujitje dhe kullim ku çdo vit do investohen një shumë rreth 70 milionë dollarë me qëllim dyfishimin në katër vite të sipërfaqjes së ujitjes.

-Krijimi i agjencisë së studimit të tregjeve që të studiojnë tregun e brendshëm dhe të jashtëm dhe të bëjnë një orientim makro për fermerët shqiptarë për çfarë dhe sa duhet të mbjellin. Kështu do zbuten shumë krizat e krijuara nga stoqet.

-Mbështetje me grante dhe kredi të buta fermerëve dhe agropërpunuese për futjen e

teknologjive të reja në prodhim dhe përpunimin e produkteve bujqësore, automatizimin,  dixhitalizimin, blerjen e traktorëve dhe pajisjeve të tjera.

-Kompensim financiar me çmim dysheme për stokun e prodhimit të shkaktuar nga çrregullime të forta të tregut dhe incentivim në ngritjen e industrisë agroushqimore për absorbimin e këtij stoku dhe shmangien e asgjësimit të këtyre produkteve. Kjo si mënyrë efektive për të shmangur falimentimin e fermerëve dhe braktisjen e zonave rurale.

-Kryerja falas nga shteti i analizave të tokës bujqësore dhe puseve të ujitjes së saj.

-Garantim dhe monitorim të cilësisë së imputeve bujqësore nëpërmjet laboratorëve të akredituara.

-Rritje e sigurisë ushqimore nëpërmjet fuqizimit të institucioneve përgjegjëse, futjes së sistemeve mbikëqyrëse sipas standardeve të BE, rishikim në themel i kuadrit ligjor për abuzuesit e tregut që dëmtojnë shëndetin e konsumatorit.

-Rritje e kapaciteteve laboratorike shtetërore me qëllim eliminimin e praktikave abuzive të kryerje së analizave nga laboratorët privatë.

-Ngritja e infrastrukturës për kryerjen e kontrolleve zyrtareve në pikat e inspektimit kufitar pasi aktualisht mungesa e ambienteve karantinore dhe frigoriferike kompromentojnë drejtpërdrejt sigurinë e produkteve ushqimore të importuara.

Zhvillimi rural do të jetë një prioritet tjetër madhor i programit tonë për Shqipërinë rurale, ku infrastruktura e kësaj Shqipërie do të modernizohet në të njëjtën shkallë me atë të vendeve të rajonit.

Ky pra ishte të dashur fermerë programi me të cilin ne besojmë se rikthejmë në fushat, në serat, në tufat tuaja, në pemëtoret tuaja si krenari për ju, krenari kombëtare.

Pyetje: Çfarë po paralajmëroni me ‘Sherifi po vjen’.

Sali Berisha: Tani, të lutem, unë nuk bëj dialog me veten time, ja ku jeni ju.

Nuk mund të bëj Edi Ramën unë të them që Eduardi që kam në mendje unë, më pyeti mua këtë pyetje dhe po i përgjigjem kësaj pyetje.

Ai bën këtë, ai ka kaluar në një monolog unik, i tmerruar nga gazetarët, i tmerruar nga publiku dhe fansat e tij.

Ai ka ndërprerë çdo komunikim sikur të ishte në Korenë e Veriut ose në ndonjë vend diktatorial ku populli shumëzohet me zero.

Ju keni parë që unë dal këtu çdo ditë para jush me programin, me qëllimin më të mirë që ju në emër të qytetarëve të bëni çdo pyetje dhe të merrni çdo sqarim për programin.

Sot unë paraqita një program, të them më të mirin e jetës sime për fshatin shqiptar, për fermerët shqiptarë.

Sepse unë besoj shumë në kapacitetet e jashtëzakonshme të blegtorisë dhe bujqësisë shqiptare.

Ato mund të shumëfishohen.

Pra, krahasuar me atë tjetrin që servir zhaba, hardhuca, zhapikë çdo ditë dhe idilin e tij të radhës, atëherë këtu kemi të bëjmë me dy botë.

Tani, Chris LaCivita është kryestrategu i fushatës elektorale të fitores së PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore.

Chris LaCivita është faktikisht faktor botëror elektoral.

Kjo nuk mund të mohohet.

Ju e keni parasysh se si ky njeri arriti të mbikalojë një Everest të një propagande të shfrenuar, të pandalshme mashtrimesh, censurash kundër presidentit Trump.

Se si kjo fushatë arriti të dominojë mbi miliardë euro polle për të mashtruar qytetarët.

Po rikujtoj këtu vetëm njërën që mbahej si më seriozja.

Anë Selcer ishte një profesoreshë në Idaho dhe publikon pollin 4 ditë para zgjedhjesh në Idaho, një shtet republikan, se aty Donald Trump ishte 13 pikë pas Kamala Harris.

Çfarë doli? Doli se ajo kishte vendosur pikërisht pikët e Donald Trump te Kamala Harris sepse zgjedhjet treguan saktësisht se Donald Trump në Idaho ishte 13 pikë përpara.

Pra, ky është Chris LaCivita.

Natyrisht kur grushtat u përplasën në tavolinë i shkallmuar, kjo erdhi fill pas lajmeve që u dhanë në hotel Rogner ku u tha se ai është një kukull e George Soros.

Natyrisht unë dënoj me forcën më të madhe mashtrimet e tij që bën, mbylljen e tij totale ndaj medieve, qëndrimin e tij prej burracaku dhe frikacaku që nuk guxon të ballafaqohet në debat para qytetarëve.

Një njeri që ka qeverisur 12 vite duhej të ishte 12 herë i gatshëm të dilte para qytetarëve.

Dhe bën lojën e klounit. Ka gjetur një Lali Lulin aty dhe e zëvendësoi Lali Erin dhe kjo është paraqitja e tij. Është dizastër.

Të vijë në debat televiziv, qoftë edhe për një temë të vetme.

Të dalim në debat për integrimin evropian, të vijë.

Integrimi i tij evropian është një piramidë madhore mashtrimi.

Miliardat e tij janë të njëjta me ato të naftës së Shpiragut. Ju e mbani mend kur u tha shqiptarëve se do vërshojnë miliardat. Kush e shterroi naftën e Shpiragut? Mashtrimet e Edi Ramës se kompania nuk foli asnjë fjalë.

Po, del me pasaportë ky, po prit, çfarë u ofron shqiptarëve?

U ofron shqiptarëve integrimin evropian me largimin nga Shqipëria dhe integrimin në Europë të tyre.

Kurse Shqipëria protektorat krimi, droge dhe hajnie.

Prisni se të vërtetat nuk i fshehin dot as thellësitë e oqeaneve, as bërthama e tokës, as galaksitë.

Kudo që të jenë ato, do të dalin dhe shqiptarët do marrin vesh dora-dorës se si po dalin ato vrullshëm.

Po merret vesh se njeriu që paraqitet nëpër samite me atlete të bardha, herë si sportis dhe herë si piktor shgarravitës, është një shpirtkeq diktator që nuk respekton asnjë parim, asnjë normë dhe që ulet me shishe sa 210 pensione në një vakt.

Udhëton me avion 2 vjet 21 milionë dollarë apo 130 mijë pensione. Vetëm avion, vetëm fluturim i shpenzon.

Merr Kopshtin e Edenit 5 milionë euro, 31 mijë pensione dhe hip e zbret shkallët mbi 31 mijë shqiptarë që nuk marrin pension me të cilin nuk ushqehen dot.

Pastaj del e thotë, ata që flasin për pensione.

Mashtrues dhe i pashpirt. Pensionet do i rrisim siç i kemi parashikuar.

Nuk do ketë pension në Shqipëri nën 200 euro.

Dhe sot nën 200 euro janë dy të tretat e pensionistëve shqiptarë.

Po atij nuk ia ndjen, nuk ia kërcet se ai ka hallin vetëm të sarajeve të tij dhe pasurive të tij.

Kështu që ky njeri është i shkëputur nga realiteti, është futur në një realitet zoologjik dhe idilik me Lul Bravën.

Zoologjik me hardhuca e reptilë ndaj dhe kjo është.

Edhe njëherë i bëj thirrje medieve, monologjet e tij t’i hedhin në kosh nëse ai nuk pranon

konferencat me gazetarët.

Imagjinoni të dashur qytetarë, çfarë bën ai.

Ai urdhëron mediat e tij që të mos thonë asnjë fjalë për programet, për konferencat e mia për programet, vetëm e vetëm që ta dominojë hapësirën mediatike me marrëzitë e tij, banalitetet e paskrupullta, me reptilë.

Dhe më në fund me Lul Bravën.

Pra, në momentet më serioze për një komb, siç janë fushatat elektorale, që duhet të mësojnë se çfarë bëjnë forcat politike për 4 vite, ai servir hardhuca dhe bretkosa dhe thashë edhe njëherë të mos ia themi emrin, tallje me të, mashtrime, gënjeshtra.

Por 11 maji po vjen, shqiptarët do i presin biletën.

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.