Gjermania lehtëson tregun e punës për emigrantët, 10-15 vite burg për kontrabandistët e emigrantëve
Gjermania ka vendosur të rishikojë rregullat për punësimin e emigrantëve dhe përfshirjen e tyre sa më shpejt në tregun e punës, ndërsa në të njëjtën kohë do të rëndohen dënimet për kontrabandistët e emigrantëve. Kështu ka raportuar së fundmi SchengenVisaInfo.com.
Deri më tani, azilkërkuesit pa fëmijë duhej të prisnin për një periudhë totale prej nëntë muajsh në qendrat e pritjes përpara se të mund të punonin në Gjermani, ndërkohë që me ndryshimet e reja parashikohet që kjo kohë të reduktohet në 6 muaj.
Një ndryshim i tillë do të thotë që sapo të miratohet ligji, refugjatët që kanë mbërritur në Gjermani deri në fund të vitit 2022 do të kenë të drejtë për një status të toleruar afatgjatë për punësim. Aktualisht, vetëm ata që kanë ardhur para datës 1 gusht 2018, kanë të drejtë për statusin.
Megjithatë jo të gjithë do të përfitojnë nga këto ndryshime. Autoritetet kanë theksuar se ata që kanë paraqitur kërkesa "të pabazuara" për azil nga vendet e origjinës që konsiderohen si të sigurta, si dhe ata që kanë refuzuar të japin prova shtesë për identitetin e tyre nuk do të përfitojnë nga ndryshimet.
Zëvendëskancelari dhe ministri i Çështjeve Ekonomike Robert Habeck tha se ky është një hap i rëndësishëm, ndërsa vuri në dukje se qeveria dëshiron të sigurojë që ata që janë tashmë në Gjermani të fillojnë të punojnë më shpejt konform regullave.
Në lidhje me kontrabandistët e njerëzve, qeveria ka vendosur të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj tyre. Qeveria gjermane planifikon të vendosë burgim të përjetshëm ose dënime nga dhjetë deri në 15 vjet për ata që vënë në rrezik jetën e njerëzve. Aktualisht, masa e dënimit për kontrabandistët është nga tre deri në 15 vjet.
LEXO TE NGJASHME