Zhvillimi i turizmit, faktor i rëndësishëm për ekonominë…

auto turizmi 1547279457 51411161547279636

Si çdo vend tjetër, edhe Shqipëria ka potenciale turistike të dukshme si për vendasit edhe për turistët e huaj. Vendi ynë ofron një natyrë të ashpër, të pastër, interesante me një biodiversitet të pasur dhe të shumëllojshëm, plazhe me një vijë bregdetare të gjatë dhe shumë të bukur. Pra dominion një rivierë me klimë mesdhetare. Por nuk mungon edhe një trashëgimi kulturore, që gradualisht ka ardhur duke degjeneruar për arsye komplekse, por pse jo edhe ndonjë strategjie dashakeqe për të humbur vlerat tona referuese si komb. Natyrisht, për këto janë përgjegjëse qeveritë përkatëse kur kanë ndodhur këto shkatërrime, vjedhje apo trafikime të vlerave tona kombëtare. Por kjo në fakt do trajtuar në një temë më vete... Por çdo kush, mund të pyesi me të drejtë, nëse ka një zhvillim historik turizmi shqiptar? Patjetër që po! Përpara viteve 1920, Shqipëria ishte një destinacion turistik. Të rëndësishme në këtë aspekt kanë qenë banjot e qytetit të Durrësit dhe ato të Pogradecit, që mbaheshin si qytete të favorizuara nga pikëpamja e klimës, ku përfshiheshin edhe qyteti i Korçës, mali i Dajtit, Thethi dhe llixhat e Elbasanit e të Krujës. Nuk duhet harruar se vetëm në vitin 1929 ishin 13 qytete turistike dhe 27 hotele, vetëm tre prej tyre ndodheshin në Durrës. Pas Luftës së Dytë Botërore, vendi zgjodhi rrugën komuniste. Turizmi, si gjithë jeta shqiptare në përgjithësi u bë i varur nga ideologjia dhe politika izoluese e vendit dhe qytetarëve të saj. Turistë mbizotërues në këtë periudhë gjithsesi vinin, por ishin pothuajse të gjithë me ndonjë përjashtim të pakonsiderueshëm nga vendet e ish-bllokut komunist lindor. I vetmi hotel i njohur dhe i përcaktuar për të pritur këto kontigjente turistësh që gëzonin njëkohësisht edhe statusin e mikut të kampit socialist, ishte Hotel “Adriatiku” në Durrës, i hapur në vitin 1958, dhe që për kohën kishte standarte ndërkombëtare. Ishte i vetmi hotel në Shqipëri për të pritur turistët e huaj deri në vitin 1990 kur filluan lëvizjet për demokraci. Në vitet mbas shkëputjes me Bashkimin Sovjetik (1961) dhe me Kinën (1977), mbi 90 % e këtyre kontigjenteve turistike filluan të vinin nga Europa Perëndimore (kryesisht francezë, italianë, suedezë, austriakë). Por gjithsesi për arsye se turizmi shqiptar nuk konsiderohej nga pushtetarët si një faktor i rëndësishëm ekonomik, por si faktor propagandistik, pra më shumë për të njohur Shqipërinë, karakterizohej nga një numër relativisht i ulët i turistëve që vinin më shumë të shtyrë nga kurioziteti se si ishte një vend i izoluar për gati 50 vjet?! Numri i turistëve të asaj periudhe nuk i kalonte 2500 deri në 10 mijë vizitorë në vit. Por shteti kishte edhe një arsye tjetër, që ishte futja e monedhës së huaj në vend. Por kjo i ishte lënë spontanitetit dhe jo një strategjie afatgjatë fitimprurëse, pra karakterizohej nga kufizime në cilësi dhe sasi.

Çuditërisht, udhëtimet e vetëorganizuara nuk lejoheshin, por preferoheshin turistët në grup. Këto grupe turistike të organizuara, zakonisht kombinonin pushimet në plazhe dhe vizitat nëpër qytetet turistike si; Kruja, Berati, apo kalatë me vlera historike. Në atë kohë, turizmi ishte organizuar nga Organizata Shtetërore e Turizmit “Albturist” që në fakt ishte një monopol shtetëror, i modeluar sipas organizatave sovjetike dhe nën varësinë juridike të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Kjo ministri merrte përsipër të përgjigjej për të gjitha aspektet e kufizuara të turizmit të asaj kohe, që përfshinte akomodimin, shërbimet lidhëse me të, transportin, këmbimin e monedhës, pazaret në dyqane, guidat ciceronët etj…Në ditët e sotme, kur aktualisht kemi një prurje shumë herë më të dukshme, cilësore të turizmit, përsëri turisti i huaj pavarësisht lehtësirave aeroportuale, ndeshet me mungesa të mëdha, të cilat me të drejtë ja heqin shijen dhe ja zvogëlojnë kuriozitetin, flasim gjithnjë për një turizëm elitar, jo vetëm turizmin shqiptar, kosovar, maqedonas, malazez, por sidomos atë që vjen nga vendet e komunitetit europian. Mbrojtja e ambjentit natyror në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar; mungon infrastruktura, mungojnë shoqatat hoteliere, pastërtia është nën nivelin e duhur…
Përgjatë gjithë bregdetit do të shikosh nëpër rërë kanalet e ujrave të zeza që kudërbojnë teksa derdhen në det. Cilësia e ujit të detit është shumë e diskutueshme, shpesh pas kalimit të trageteve deti kundërbon era naftë dhe merr ngjyrën e ndryshkut të kuq. Nëpër këmbë të turistëve vendas apo të huaj kalojnë kafshë që nga gomerët, qentë, madje edhe arinjtë e cirkut… Nuk mungojnë makinat që shesin akullore buzë detit, shitësit ambulantë të të gjitha llojeve, deri tek ata që të mbysin me gaz karbonik teksa sheshin misra të pjekur…Shumë mirë që Agjensia Kombëtare e Turizmit ka strategjitë dhe nismat për të bërë Shqipërinë një destinacion turistik ndërkombëtar, me synim tregjet e Europës Qendrore dhe Lindore. Por me sa kuptuam nga intervista e drejtoreshës së kësaj agjensie, Julinda Dhame, vihet re një guidë e pasur që kjo agjensi po bën nëpër disa panaire, si ai i Kopenhagenit, Tel-Avivit dhe Budapestit, deri edhe në panairin më të madh të Europës, ai ITB në Berlin, por që deri në fund të vitit kalendarik parashikohen pjesëmarrje edhe në panaire të tjera. Natyrisht, këto ndikojnë në vizionin europian të agjensisë, por si mund të zhvillosh një turizëm detar me ato mungesa të theksuar në fushën e higjienës së mjedisit, të të ushqyerit, apo turizmit malor, kur zona si Thethi janë rrjepur, hektarë me pyje digjen apo priten për vit dhe asnjeri nuk mban përgjegjësi ligjore? Por vetëm bëhen disa debate demagogjike? Kur në vend mungon pikësëpari produkti turistik, nuk shikojmë shtim të zonave të mbrojtura, gërmime të mëtejshme dhe mirëmbajtje të qendrave të njohura arkeologjike, por këto iu jepen pronarëve, me qëllimin e mbrapshte që ti degjenerojnë dhe mbi këto vlera të ngrenë pallate? Kur ndërkohë po prishet biodiversiteti i pasur në lagunat, liqenet dhe zonat malore me florë dhe faunë unike në Europe?! Nuk besoj se këto probleme sa akute por edhe kronike për turizmin shqiptar, mund të zgjidhen me “eksplorim” turistik të panaireve botërore...?!Të guxosh të mendosh se do të kapesh tregjet e Europës, kur në qendrat turistike përreth Tiranës mungon uji dhe ikin dritat, pra të mos shkojmë më larg, kur në turizmin shqiptar mungojnë paketat atraktive, mungon turizmi rural, ekoturizmi, turizmi urban, por të vesh theksin vetëm tek turizmi i konferencave apo panaireve botërore më duket jo shumë racional...Shqipëria njihet të jetë destinacioni i fundit në Europë, në të cilin akoma mund të zbulohen sekretet e çmuara dhe të rralla të natyrës, ekologjisë dhe trashëgimisë kulturore. Është një vend i preferuar për turistët me interes në aktivitetet e sportit të zhvilluar në natyrë, pra të orientuar drejt mjedisit.

LEXO TE NGJASHME

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.