Mirdita Kultura dhe Tradita

mirdite 1 1

Mirëdita numëronte rreth tre mijë shtëpi kur një zonjë angleze si Edit Durhami kalonte atyre viseve të largëta. “Të gjitha janë katolikë. Mirdita përbëhet nga pesë bajrakë, prej të cilave Oroshi, Spaçi dhe Kushneshi janë nga i njëjti gjak me Shala-Shoshin dhe nuk martohen midis tyre as me Shalën e Shoshin. Lekë Dukagjini ka qenë një nga të parët e tyre dhe sundonte në të gjithë malet në kohën e Skënderbeut. Lura ishte pjesë e tokave të tij. Thoshin se Skënderbeu dhe Leka ishin të lidhur mes tyre, prandaj gratë mirditore mbanin xhurdi të zezë në shenjë zie për Skënderbeun: në të gjitha fiset e tjera xhurdia mbahet vetëm nga burrat. Por nuk ekziston ndonjë gjenealogji autentike, as unë nuk arrita të hartoja nga gojëdhana një gjenealogji të pranueshme. Mirditasit nuk e rruajnë aspak kokën, siç bëjnë mjaft fise të tjera. Në shumë raste në të vërtetë ata rruajnë vetëm një rrip të ngushtë në tëmthat. Meqë, dy nga pesë bajraqet janë me gjak të ndryshëm, nuk është për t'u çuditur që tipi është mjaft i ndryshëm. Ndeshen shpesh si burra shtatgjatë me sy bojë hiri, ashtu edhe burra të shkurtër, zeshkanë, bashkë me raste kalimtare të ndërmjetme. Udhëtarët, që i përshkuajnë gjithë mirditoret si "zeshkanë" ose "flokëverdhë", kanë vizituar vetëm një pjesë”...

Kjo pra ishte Mirdita e Edith Durhamit. Disa prej traditave dhe zakoneve që përshkruan aventuriera angleze në librin “Shqipëria e Epërme” i gjen dhe pas një shekulli në zonat e Mirditës. Në kërkim të kësaj tradite të trashëguar brez pas brezi ruajtur por dhe asaj që tashmë ka mbetur thjesht histori na çoi drejt Mirditës. Pasi kalon Urën e Milotit dhe hyn në Luginën e Fanit qyteti i parë që të shfaqet pas tabelës që shenjon rrethin e Mirditës është Rubiku. Kisha e të Shëlbuemit, ndërtuar në kepin e bardhë të qytetit është e para që të uron mirëserdhjen. Është ndër kishat më të vjetra dhe më të rëndësishme e cila sipas dokumenteve daton që prej viti 1200. Kështu Rubiku hyri në histori për kuvendin e mirënjohur Benediktin deri në gjysëm e dytë të shekullit që lamë pas, ku emri i këtij qyteti lidhej vetëm me nxjerrjen dhe përpunimin e bakrit. Sot Rubiku dhe fshtrat përreth tij kanë mbetur shkretë. Ndoshta për këtë arsye, presidentja e organizatës Humnaitare “Parneriteti Shqipëri-Austri”, konsulle Marianne Graf-i mendoi ta ngrinte aty afër të parin dhe të vemtin hotel ekologjik në rrethin e Mirditës, hotel “Marubi”. Emri që siç na tregojnë nuk ka lidhje me fotografin e famshëm Marubi por është një bashkim të dy gërmave të emrit të konsulles Mariane tre gërmave të qytetit Rubik. “Marubi” ndodhet në një territor natyror dhe piktoresk e ndërtuar në anë të një përroi në fshatin Katund i Vjetër. Në atë fshat të vogël, ku e shkuara dhe e tashmja janë bërë bashkë, shijuam dhe gatimet tradicionale të Mirditës ashtu si shekuj më parë.

Tradita që sollën françeskanët që u ngjitën në ato male

Ndër shekuj feja ka patur një ndikim shumë të madh tek banorët Mirditës. Mirditasit i rregullonin tek fretërit katolikë gjithë konfliktet jo vetëm fetare por dhe laike. Ndikimi i njerëzve me veladon është i pranishëm edhe në kulturën e gatimit. “Gjithçka përbën traditën kulinare të mirditorëve i dedikohet françeskanëve”- na thotë Gjovalin Prenga, ish- deputet i Kuvendit të Shqipërisë, që tani gjithë kohën ia ka kushtuar zhvillimit të tuzimit në zonën që i dha dhe mandatin e deputetit për katër vjeçarin 2005-2009.

“Mirdita është një vend me histori dhe me besim të krishterë. Mirditorët janë katolikë dhe kjo reflektohet edhe në disa sjellje të tyre. Nëse kemi diçka me të cilin mund të krenohemi është të qenit katolikë. Edhe në traditën e gatimit çfarë kemi me shije në fakt e kemi të trashëguar prej lidhjeve të ngushta me katolicizmin. Nëse ka një kulturë të vogël kulinarie në Mirditë kjo është falë fretërve françeskanë të cilët sollën në këtë zonë jo vetëm dije e kulturë por dhe traditën e tyre të gatimit. Ndoshta ka qenë varfëria e madhe që se ka lënë të zhvillohet traditën e kulinarisë ashtu siç mund ta kenë zona të tjera të Shqipërisë, sepse për shumë shekuj mbijetesa ka qenë problemi kryesor i mirditorëve.” – pohon Gjovalini. Prodhimi kryesor bujqësor kryesor i zonës është misri dhe rrushi. Misri është në bazë të shumë recetave që përgatisin gratë mirditore. Kurse rrushit i bëjnë hyzmet burrat vetëm për rakinë. Pak preferohet që rrushi të bëhet verë, përgjithësisht musht (verë e ëmbël). Blegtoria është gjithashtu shumë e zhvilluar. Racat më të mira të dhive mendohet se rriten në Fan, Velë dhe Bulgër, ndërsa lopët në Orosh, Fan dhe Spac. Derri mbetet ushqimi kryesor dhe baza e shumë prej recetave që gatuhen në Mirditë. Për “nder” të tij mirditorët çdo prag Krishtlinjdesh të shtrojnë dhe darkën e derrit ku gatuhen të gjitha recetat që si bazë kryesore kanë gjithçka të derrit, madje dhe gjakun e tij. “Në çdo shtëpi në kohën kur pritet derri, i rritur gati 100 kg, gatuhen dhe recetat tradicionale me bazë gjakun dhe mishin e derrit. Në Mirditë ëshë traditë Lakrori që gatuhet me gjakun, trutë e derrit dhe dhjamin e shkrirë ose siç i themi në dialektin tonë zhikrra.”- na shpjegon Violeta bashkëshortja e Gjovalinit. Receta e lakrorit me gjak është shumë e thjeshtë vetëm se ajo nuk gatuhet në çdo kohë. Koha e saj është kur pritet derri pra në prag Krishtlindjesh. “Petët e tëhollura (sot për lehtësi bëhet dhe me petë të blera) piqen dhe spërtkaten me yndyrën e derrit. Në një tjetër enë kemi skuqur me pak miell gjakun e derrit të sapo prerë. Mund të përdoret miell misri ose miell gruri sipas dëshirës. Masa e përftuar shtrohet sipër petëve që spërkaten sërish me yndyrë dhe mbi të vihen shtohen trutë e skuqura më parë. Mbulohet me petët e mbetura dhe sipër u hidhen zhikrrat. Gjatë pjekjes zhikrrat lëshojnë yndyrë dhe lakrori zë një cipë të trashë sipër si kore.”- na jep recetën e parë të gatimeve më gjak derri Violeta. Ky lakror vazhdon të gatuhet edhe sot në disa zona të Mirditës por ka gatime që kanë humbur nga tradita për shumë e shumë arsye. Një e tillë është Kurma me gjak, një lloj “sallami” primitiv që përgatitej për të kaluar dimrin. Siç na rrëfen Violeta, kurma me gjak përgatitej me zorrët e derrit që pasi patroheshin mbusheshin me gjak të skuqur me pak miell të pëzier me copa mishi dhe hudhër të prerë hollë. Zorrët e mbushura lidheshin anash dhe viheshin të thaheshin mbi trarë. Për ta ngrënë pritej në copa dhe skuqej. Prej shumë vitesh Kurma me gjak nuk gatuhet më nga amvisat e zonës. Mishi i varur në tra gjithashtu ishte pamja më e zakonshme në kullat e dikurshme të Mirditës. Sot kjo traditë sa vjen e po zhduket ashtu si gurët e kullave që kanë humbur nën suvane dhe gëlqeren e bardhë edhe pse lakrat e zeza me mish të thatë derri vazhdojnë të mbeten një ushqim që ende ruhet në disa zona të Mirditës. Gjovalini na thotë se dhe lakra e zezë (në fakt është jeshile) është perime që në këtë zonë e kanë sjellë françeskanët italianë që si fasulja dhe preshi mbeten gjithashtu gatime që preferohen të gatuhen me mish të thatë derri. “Disa nga këto receta po rikthehen si tradita në familjet e mirditorëve, ndërsa disa kanë humbur”- thotë Violeta.  

Në Kullën e Ndue Prengës

Na duhet të bëjmë një copë udhë në këmbë për tu ngjitur në kodrën ku është ngritur kulla më vjetër në katund. Përpara, bash si e do zakoni, na dalin gratë e shtëpisë. Burrat janë të gjithë në emigracion dhe në atë kullë dykatëshe ndajnë ditët gratë e asaj shtëpie. “Nusja” më e vjetër është 101 vjeç. Jemi në kullën e Ndue Prengës në Katunin e Vjetër në Rubik. Dava do të gatuajë për ne Petë më kungull. “Zakonisht e bëjmë në kohën e kungullit.”- thotë Dava duke na treguar me dorë kopshtin. “Sipas sezonit i mbjellim të gjitha në kopsht; domatet, specat, patëllaxhanët, misrin, lakrat e zeza... Nuk blejmë perime e zarzavate në dyqan, i marrim të gjitha prej kopshtit”. Duhen vetëm pak minuta për të përgatitut petët me kungull sipas traditës së amvisave mirditore. Një recetë e thjeshtë që shijon aq shumë pas një dreke apo darke të mirë. Mishi është gjithmonë një herë në ditë. Në mos në drekë, në darkë do të gatuhet patjatër një gjellë me mish. Përgjithësisht përgatitet i zier. Të pjekur, sipas Davës, e sollën si traditë diversantët. “Ishin të mençëm ata, prej nevojës mësuan dhe si të hanë mishin. Bagëti kishin, dru zjarri po e po. Ndiznin zjarr n’mal dhe piqnin mishin.”...

Koha më e ngarkuar me punë janë tre muajt e fundit të vitit, kur gratë e shtëpisë vihen në punë për të bërë turshitë e dimrit me domate, kastraveca, e lakra. Gjatë kësaj periudhe përgatitet dhe mishi i tharë, me të cilin si dikur, edhe sot familjet mirditore kalojnë dimrin e ftohtë. Laknuri me rena është gjithashtu një recetë që gatuhet shpesh në familjet mirditore. “Varfëria ka qenë e madhe dikur dhe me ato pak gjana gratë mundoheshin me saju ushqime të mira. Laknuri me rena do veç miell e yndyrrë derri. Sot në vend të yndyrrës përdoret gjalp po dikur gjalp nuk kishte. Burimi bëhet më i hollë se i petullave dhe në saç me garuzhe hidhej pak brumë. Brumi mpiksej dhe bëhej si petë. Peta lyhet me yndyrë derri ose me gjalp dhe, shtresa shtresa bëhet laknuri”- shpjegon Dava. Të gjitha recetat e zonës janë të thjeshta me pak asortimente dhe përgjithësisht të yndryshme. Yndyra, mishi dhe bulmeti nuk shtrohen kurrë vetëm në tryezën e Krishtlindjeve. Po të trokasësh natën e Krishtlindjeve në ndonjë derë Mirdite ajo që do të shtrohet është byreku me arra, ulinjtë, hudhrat, peshku dhe shihja e verës. Për mishin duhet të presësh drekën e ditës tjetër. Por “mbretëresha” e tryezës është byreku me arra; petë të shtruara njëra mbi tjetrën të lyera me vaj dhe në mes shtrohen dy rene me arra të shtypura. Kaq e thjeshtë është dhe kjo.

Përveç gatimeve tradicionale që ofron për çfarë tjetër duhet vizituar Mirdita?...

Gjovalin Prenga mendohet një moment. Ajri i pastër dhe klima malore nuk mjaftojnë më për turstët, kërkesat e të cilëve rriten gjithmonë e më shumë. “Një kilometër e pak nga Katundi i vjetër ndodhet Kalaja e Judejve, e ngritur në majë të një kodre që ndan fshtatin Velë me Katundin e Vjetër, në majë të një kodre ndodhet mes fshatit Velë dhe Katund i vjetër. Kalaja ka ca vizatime të vjetra që sipas studiuesve mendohet se janë bogomile.” Edhe vetë  Gjovalinit i duket pak e çuditshme që tek shqiptarët e veriut që janë kryesisht katolikë dhe shkencërisht vetëm boshnjakët mendohet se kanë qenë bogomile. Ndoshta për këtë Kisha e Zhudejve siç i thonë banorët e zonës ngjall gjithmonë kureshtje tek turistët që vizitojnë Mirditën. Kisha e Rubikut aty ka shkruar papushim At Shtjefën Gjeçovi është një pikë tërheqëse për vizitorët. Shkencëtari fetar, në njërin nga gurët poshtë kishës ka gdhendur edhe emrin e tij. Aty ka rrjedhur muza e Fishtës poet, janë mbushur fletët e ditarit historik të At Pal Dodajt, famullitari austriak Franz Barcata do të hidhte shënimet për 10 vite në ditarin e tij të rrallë, apo do të nxirrte nga duart punime të papërsëritshme Leon Kabashi, piktor. Aty do të pritej me madhështi Pren Doçi pas kthimit nga mërgata e gjatë politike në vitin 1888.

Sekreti i jetëgjatësisë së Nanë Mrikës

“Kam mush 101 vjeç tri ditë pa hy korriku”- na thotë Nanë Mrika, e cila pasi na ka përshëndetur vrapon të ulet në stolin e vogël buzë oxhakut. Aty është vendi i saj i përhershëm në ato pak orë që ngjitet lart në katin e dytë ku ndodhet oda e miqve.

Nanë Mrika të përshtjellon disi me sekretarin e jetëgjatësisë së saj. Mundohemi ta zbulojmë tek ushqimi i shëndetshëm por mësojmë se 101 vjeçarja e pëlqen aq shumë yndyrën sa nusja më e vogël e shtëpisë kur gatuan për të detyrohet t’i hedhë dysh yndyrë ushqimit. “Po kafe pi ti Nanë Mrika”- tentojmë sërish të mësojme ndonjë gjë më shumë. “ Pasha qell e tokë e di se t’ban keq po tre herë n’ditë se laj me luj”.  Është ora për kafen e tretë të ditës. Vajza e shtëpisë ia vë përpara bashkë me një gotë uji plot me akull që ajo e pi si në verë dhe në dimër. Por dalëngadalë e zbulojmë “recetën” e jetëgjëtasisë të Nanë Mrikës. Ajo s’ka pi kurrë duhan dhe jeton sipas një regjimi të caktuar. Fle dhe ha me orar. Ora mbi kokë i shërben pikërisht për këtë. “Çohet në orën 8.00 të mjesit, pi një kafe e një gotë qumësht. Në orën 11.00 ha drekën. Po kaloi ora 11.00 bëhet nami. Pas dreke shkon të flejë deri në 13.00. Ngrihet dhe pi kafen e dytë. Me pak fle çdo dy orë dhe ha të tre vaktet”- na shpjegon Dava e zonja e shtëpisë. Të çudit me mëndjen e kthjellët dhe vitalitetin që trgeon kur bisedon me njerëzit. “Bilbilit i jap po s’di gja ça shkon drejt. Kollaj me i dhanë ksaj po duhet me shku përsmari”. Ka dhe humor nanë Mrika përveç të tjerave.

 

LEXO TE NGJASHME

0.11 kulture

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.