Loja me litar mbi rezervuarin e Prushit, që i mori jetën dy vëllezërve 10 dhe 14 vjeç
Ajo që për ta ishte sfidë, dje i sfidoi, ua mori përfundimisht lojën fëmijërore dhe krejt jetën! Ky është fati-fund tragjik i dy vëllezërve Mateo dhe Klevis Taku, të cilët humbën jetën në ujërat e rezervuarit të Prushit, në periferi të Tiranës. I pari që ka humbur në thellësinë e ujit ka qenë Klevisi, vetëm 10 vjeç.
Më pas Mateo, si më i madh në moshë dhe më i fuqishëm, ka hyrë të shpëtonte jetën e të vëllait, për të mos dalë të gjallë nga ajo gropë uji që kërcënonte fëmijët që luanin në orët e para të pasdites, shkruan Panorama.
Ngjarja e rëndë që ka tronditur mbarë opinionin publik është lajmëruar rreth orës 18.00 të së djeshmes, ndërsa për të bërë të mundur gjetjen e trupave të dy djemve të familjes Taku nga Vaqari është dashur ndihma e palombarëve të RENEA-s.
Çfarë ka ndodhur konkretisht kanë treguar fëmijët e tjerë, të cilët u gjenden në brigjet e atij rezervuari duke luajtur me litarin që kishin sajuar si test për t’u zhytur sa më thellë “kërcënimit” të tyre.
Policia pas marrjes së informacioneve të para është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes, por të gjithë kanë qenë vonë, përfshirë edhe banorët e fshatit, të cilët e kanë pasur vetëm pak metra larg vendtragjedinë e dy vëllezërve Taku, një rezervuar për të cilin askush nuk është kujtuar të krijojë mbrojtje për të vegjlit!
Sipas të dhënave të Policisë së Tiranës, bëhet me dije se ngjarja e rëndë është lajmëruar nga fëmijët e tjerë, të cilët kanë mundur të shpëtojnë nga mbytja. Kanë qenë 6 fëmijë, duke lozur me një litar të kapur në pishat e mëdha që gjenden në breg me anë të të cilit ata krijonin mundësinë për t’u zhytur në ujërat e rezervuarit.
Litari, sipas të dhënave ka qenë i kapur në një anë pa pamje nga pjesa e shtëpive të fshatit dhe nuk dihet nëse ndokush nga banorët e zonës ka pasur dijeni për ekzistencën e tij apo edhe për hedhjen që bënin fëmijët e fshatit në ujë.
Sipas dëshmisë së fëmijëve që kanë mundur të dalin në breg dhe ata që e kanë parë skenën, është mësuar se Klevisi, djali 10-vjeçar i familjes Taku ka mbetur në ujë dhe ka kërkuar ndihmë.
Mateo është hedhur menjëherë për ta nxjerrë, por nuk ka mundur dhe për pasojë fëmijët e tjerë kanë dalë me vrap në anën e banesave për të thirrur më të rriturit që të futeshin për të nxjerrë djemtë.
Janë bashkuar banorët e zonës, por në ato momente nuk ka pasur më asnjë shenjë të tyre në sipërfaqen e rezervuarit çka ka bërë të mundur edhe lajmërimin e policisë dhe kjo e fundit ka kërkuar ndihmën e palombarëve, të cilët pas rreth gjysmë orë kërkime kanë gjetur trupat e tyre! Një grup hetimi ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe bëhet me dije se po heton për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së rëndë dhe të trishtë!
LEXO TE NGJASHME