Miratohet akti normativ: 10 milion lekë gjobë për subjektet që abuzojnë me çmimet e produkteve të shportës

cmimet.gjoba

Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i transparencës që përcakton marzhin e fitimeve të bizneseve. Për subjektet që nuk do të respektojnë vendimet, do të vendosen gjoba. Pikat e shumicës do të gjobiten deri në 10 milionë lekë, ndërsa për tregtarët e vegjël gjoba do të kapë shifrën dy milionë lekë. Në rast të përsëritjes së shkeljeve, bizneset do të dënohen me mbyllje të aktivitetit deri në sekuestrimin e mallit.

Në Fletoren Zyrtare është botuar akti normativ “Për transparencën dhe monitorimin e çmimeve për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg” në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës i miratuar nga qeveria.

Akti Normativ përcakton ndër të tjera se të gjitha subjektet janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave deri në 3 muaj ose në përputhje me jetëgjatësinë e produktit, me qëllim garantimin e popullatës me furnizime.

Ky akt është i detyrueshëm të zbatohet nga të gjitha subjektet dhe zbatimi i tyre monitorohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, nëpërmjet verifikimit të faturave të lëshuara nga subjektet gjatë periudhës së situatës së veçantë të krijuar në treg.

Sipas rastit, Bordi mund të vendosë krijimin e një task-force, me përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Sakaq ndaj bizneseve tregtuese të produkteve të shportës që nuk respektojnë marzhin e fitimit të përcaktuar nga bordi i transparencës do të zbatohen masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit dhe sekuestrimin e mallit kur shkelja përsëritet.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.