“Green Pass” për studentët? Përgjigjet ministrja Manastirliu
Disa ditë më parë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi në Kuvend se të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të pajisen me ‘Greenpass’ për të hyrë në lokale. Manastirliu mori shembull nga vendet europiane për të cilat tha se të gjithë qytetarët futen në restorante dhe në bare vetëm nëse kanë kartën që tregon vaksinimin. Kjo ka sjellë reagime të shumta nga qytetarët, pjesa më e madhe e të cilëve janë kundër.
Sakaq, sot Manastirliu në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave foli më shumë për certifikatën e vaksinimit, apo siç njihet ndryshe “Green Pass”. E pyetur nga deputeti demokrat Edmond Spaho kur dhe si do të bëhet kjo, ajo tha:
“Ne po e shohim që Europa është epiqendër e virusit dhe rritja e rasteve ka çuar edhe vende si Austria të që përfshijnë “Green Pass” në masat për reduktimin e përhapjes së COVID. Ne jemi duke e vlerësuar, është një opsion, por duhet të kemi të gjithë garancitë e zbatueshmërisë së tij, nuk ka asnjë vend që të ketë një polic për cdo qytetar për zbatimin e masave, por këtu ka të bëjë shumë aspekti i përgjithshëm i ndërgjegjësimit për vaksinimin”.
Por çfarë po ndodh në universitete, ku nuk po zbatohen masat për mos lejimin e studentëve që nuk janë vaksinuar? Ministrja e Shëndetësisë tha se kjo është përgjegjësi e vetë universiteteve.
“Ne kemi vendosur detyrimin për vendosjen e “Green Pass” për cdo universitet. Ka pasur një rritje të mbulesës vaksinale në universitete, nuk jemi aty ku duhet. Për moshën 18-24 është 30%, nuk është aty ku duhet, por jemi duke bashkëpunuar me universitetet, pasi kërkohet një ndërgjegjësim, mbi të gjitha i vetë të rinjve, por edhe i strukturave akademike. Ne si ministri Shëndetësie kemi vendosur në universitete vaksinatorë, që ta bëjmë sa më të lehtë. Ky proces do kërkojë edhe bashkëpunimin e vetë universiteteve. Si ministri ne nuk rekomandojmë si bëhet mësimi, ne themi cdo student që akseson universitetin duhet të paraqesë kartën, këtu është një përgjegjësi e universiteteve për të marrë masa” tha ajo.
LEXO TE NGJASHME