Agjenti i infiltruar zbuloi laboratorin ku bëheshin teste Covid pa licencë

0.2542amed

Një grup që merrej me pajisjen e qytetarëve me tamponë të shpejtë për koronavirusin në mënyrë që të udhëtonin drejt Italisë nëpërmjet portit të Durrësit, është arrestuar nga Policia. Pesë persona përfunduan në pranga nga operacioni i Policisë lokale, ndërsa një i gjashtë është shpallur në kërkim. Ata kishin ngritur një laborator të palicencuar nga autoritetet shëndetësore për të kryer tamponët e shpejtë kundrejt përfitimit.

Sipas Policisë së Durrësit, pesë të arrestuarit dhe personi i shpallur në kërkim ishin të punësuar në laborator, i cili ishte ngritur në hyrje të portit detar të Durrësit dhe konkretisht te hyrja e udhëtarëve.

Mësohet se në pranga kanë rënë:

Eva Haruni, 34 vjeçe (bashkëpronare);

Elio Agolli, 24 vjeç;

Ervin Çela, 29 vjeç – të tre me banim në Tiranë;

si dhe Anxhela Spahiu

dhe Aida Pisli, përkatësisht 24 dhe 25 vjeçe, me banim në Durrës.

Ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpronari tjetër me inicialet A. H., 30 vjeç, me banim në Tiranë. Katër personat nga kryeqyteti akuzohen për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mashtrimi”; ndërsa dy vajzat nga Durrësi (punonjëse) për “Moskallëzim krimi”. “Pajisnin udhëtarët me teste të shpejta për COVID-19, pa qenë të licencuar”.

Operacioni

Strukturat e DVP Durrës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe elektronike, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin e koduar “Laboratori”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë pesë shtetas dhe u shpall në kërkim një tjetër.

Sipas burimeve nga grupi hetimit, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në një laborator në Lagjen nr. 4, Durrës, duke përfituar nga situata e pandemisë COVID-19, kanë pajisur me test “Rapid” 483 qytetarë, të cilët do të udhëtonin në drejtim të Italisë, pa qenë të licencuar nga instancat përkatëse, në kundërshtim me Urdhrin datë 23.07.2020 “Për miratimin e procedurës së kryerjes së testimeve molekulare RT-PCR, për SARS CoV-2 dhe njohjes së laboratorëve jopublikë për kryerjen e testimit për nevoja administrative”.

Agjentët e Policisë kishin marrë informacione në rrugë operative dhe elektronike për veprimtarinë e paligjshme që kryhej në laboratorin ku ishin të punësuar të arrestuarit. Pikërisht një nga agjentët është paraqitur në laborator dhe ka kërkuar kryerjen e një tamponi të shpejtë duke insistuar si i duhej brenda pak orëve, ndërkohë që përgjigjja e tamponit kërkon kohë.

Ata i janë përgjigjur se nuk ka aspak problem dhe për pak minuta e kishin bërë gati “përgjigjen”. Në këtë moment, agjenti ka lajmëruar kolegët që ishin në gatishmëri dhe këta të fundit ndërhynë menjëherë duke sekuestruar pajisjet dhe gjithçka ndodhej në laborator.

Ndërsa më pas është bërë edhe arrestimi i personelit dhe bashkëpronares. Bashkëpronari tjetër nuk ndodhej në laborator dhe pasi ka mësuar se Policia ka ndërhyrë në ambientet e laboratorit, është larguar në drejtim të paditur.

 

LEXO TE NGJASHME

BLI ONLINE

BIZNESE TE ZONES

ALBEST.AL

Ky website kontrollohet dhe menaxhohet nga Albest.al. Të gjitha materialet , përfshirë fotografitë, janë e drejta autoriale e Albest.al. Materialet nuk mund të kopjohen, riprodhohen, ripublikohen, modifikohen, transmetohen, ose distribuohen në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të Portalit Albest.