Basha ne Tropoje: Te clirojme vendin nga kasta e te korruptuarve
Në një takim me demokratët e Tropojës, kryetari i PD Lulzim Basha nënvizoi se Partia Demokratike është sërish në një mision historik për të sjellë valën e fundit të demokratizimit të vendit, të modernizimit të politikës dhe të kthimit të pushtetit tek qytetarët.
Liria dhe demokracia kanë humbur kuptimin, tha Basha, dhe që këto koncepte të marrin fuqi duhet fuqizuar qytetari, duke ia kthyer atij kontrollin e qeverisjes me instrumentat që i takojnë.
“Vendi është robëruar nga një kastë, nga një klikë të korruptuarish dhe kriminelësh të cilët kanë vetëm një interes, të përfitojnë e të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Koha ka ardhur që Partia Demokratike t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi, drejt lirisë dhe demokracisë. Ashtu si demokracia dhe liria erdhën për shkak të nevojës, domosdoshmërisë për të shporrur diktaturën, atëherë kur s’kishte më ku të shkonte, nuk kishim më nga t’ia mbanim, edhe sot kjo vjen si një domosdoshmëri që t’i kthejmë qytetarëve qeverisjen, të fuqizojmë qytetarin, duke i dhënë instrumentat kushtetuese dhe ligjore që ai të përcaktojë të gjitha vendimmarrjet dhe vendimmarrësit lirisht dhe jo i kërcënuar dhe as i shitblerë”, tha Basha.
Basha u kërkoi anëtarëve të Partisë Demokratike të qëndrojnë pranë njerëzve, të prekin realitetin e tyre dhe të evidentojnë hallet e qytetarët në nevojë.
“Halle konkrete, emra konkretë, fate konkrete njerëzish i njohim, i dimë, i takojmë ditë për ditë në komunitetet, por ne duhet të kemi një evidencë të plotë. Kjo është një parti politike që përgatitet nesër të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes, jo demagogji, jo premtime koti. Dhe po ju them se detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej ditës së parë në qeverisje, pa asnjë alibi është të bëjmë gjithçka për njerëzit në nevojë”, pohoi Basha.
LEXO TE NGJASHME