Presidenti dekreton ligjin e pikes së përbashkët policore e doganore me Greqinë
Presidenti Ilir Meta dekretoi sot ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”.
Kjo marrëveshje shkon në funksion të ndërmarrjes së masave të përbashkëta kundër kërcënimeve ndërkufitare nga ana e të dy autoriteteve, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, migracionit të paligjshëm, trafikimit të drogave, ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit, si dhe krimeve të rënda.
Meta dekretoi po ashtu ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, si shtesë e Konventës Evropiane për Ekstradimin të vitit 1957”, e cila synon plotësimin e kuadrit juridik në fushën e bashkëpunimit të ndërsjelltë në fushën penale dhe lehtësimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve, ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës.
Gjithashtu, është për t’u vlerësuar forcimi i lidhjeve mes dy sistemeve të drejtësisë dhe përmirësimi i institutit të ekstradimit lidhur me dorëzimin reciprok të kriminelëve tek autoritetet respektive të të dy vendeve.
LEXO TE NGJASHME